Shkarkimi i drejtorit të Policisë Shkodër, Rama: Asnjë justifikim për ndërtimet pa leje

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Durrës një takim me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal edhe tek shkarkimi i drejtorit të Policisë së qarkut Shkodër, ku theksoi se shpreson që të jetë një mesazh për të gjithë drejtuesit e qarqeve, se nuk mund të ketë justifikime për ndërtimet pa leje.
“Asnjë drejtor qarku nuk mund të justifikohet se nuk dinte gjë, kur nuk bëhet fjalë për një tavolinë me katër karrige që kanë dalë nga vija, por për 40 ndërtime pa leje apo qoftë edhe për një ndërtim pa leje. Policia e ka treguar se edhe kur do, di të shkojë edhe në majën e një mali kur një fshatar po bën një avlli dhe t’i thotë po bën një avlli. Poshtë në bregdet, ku ndërtohen rezorte dhe ku merret dheu nga kantieri dhe bëhet deti i kaltër i Jonit si Lumi i Lanës, nuk e shohin.
Të gjithë drejtorët e qarqeve, shefat e komisariateve duhet të dinë që përgjegjësia e tyre, nuk është vepër për një mur apo avlli, por për çdo ndërtim që ka formën edhe të një pallati, kur aty ka paligjshmëri”, tha Rama.
Rama shtoi se “nuk kemi ne 4 mijë km bregdet, që të na dëmtohet akoma më shumë seç na është dëmtuar në të shkuarën. Nëse ne angazhojmë ajkën e arkitektëve ndërkombëtarë në Shqipëri, dhe treçerekun e qeverisë për të miratuar lejet e ndërtimit me projektet e këtyre arkitektëve dhe merret Agjencia e Zhvillimit të Territorit me të gjitha detajet, ne nuk mund të lejojmë pastaj që projektet në territor të bëhen sipas qejfit”.
“Si mundet njëri të marrë fadromën dhe të hapë 500 metra në kodër, rrugë në shkëmb, e hap njëri pa leje mbi kokën e Ermal Dredhës dhe Policia nuk di gjë, kjo nuk është e mundur. Kontrolli mbi territorin, pastërtia, respekti për lejet e ndërtimit, pamundësia për të ndërtuar pa leje, duhet të jenë pjesë e jetës së përditshme të Policisë së Shtetit të bashkive dhe kryetarëve të bashkive”, u shpreh Rama.
/m.q//r.e//a.f/