E Diel, 1 Nëntor 2026

Detaje nga atentati në Vorë/ Edmond Ali Sula u qëllua me breshëri plumbash pranë banesës në Bërxullë, Policia ngre postblloqe për kapjen e autorëve

Edmond Ali Sula, 50 vjeç, mbeti i vrarë me armë zjarri pak pas mesnatës në fshatin Bërxullë të Vorës. Ngjarja ndodhi rreth orës 00:10 të kësaj të diele, në momentin kur ai po kthehej drejt banesës. Sipas informacioneve paraprake, autorët kanë qëlluar disa herë në drejtim të Sulës, ndërsa një prej plumbave i shkaktoi vdekjen në vend.

Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar me automjet, ndërsa policia ka ngritur menjëherë pika kontrolli në hyrje dhe dalje të zonës për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e tyre.

Në vendngjarje mbërriti grupi i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, me shpresën se pamjet do të ndihmojnë në identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e lëvizjeve të tyre para dhe pas krimit.

Burime për RTSH bëjnë me dije se Edmond Ali Sula njihej si person problematik, megjithatë nuk kishte precedent penal të regjistruar. Deri tani nuk ka persona të ndaluar, ndërsa motivi i vrasjes mbetet ende i paqartë.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›