Detaje të reja nga grabitja e argjendarisë në Kamëz, ndalohet 1 person, policia në kërkim të bashkëpunëtorit

Policia vijon hetimet për zbardhjen e grabitjes së ndodhur më 16 maj në një argjendari në Kamëz, ku dy persona dyshohet se kanë marrë bizhuteri nën kërcënimin e armës.
Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara, grupi hetimor ka ndaluar me iniciativë shtetasin E. H., 22 vjeç, banues në Krujë. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet të jetë i përfshirë në vjedhjen me dhunë të argjendarisë në pronësi të shtetasit O. L., ku u mor një sasi bizhuterish.
Gjatë kontrollit dhe veprimeve procedurale janë sekuestruar edhe disa sende të kundërligjshme, të cilat pritet të shërbejnë si prova në vijim të hetimit.
Ndërkohë, policia po punon për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet janë referuar në Prokurori për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.
“Veprime intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes me dhunë në një argjendari në Kamëz, më datë 16.05.2026.
Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, për identifikimin dhe kapjen e 2 shtetasve që vodhën nën kërcënimin e armës bizhuteri në një argjendari në Kamëz, kanë bërë ndalimin me iniciativë të shtetasit:
-E. H., 22 vjeç, banues në Krujë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, është i implikuar në vjedhjen argjendarisë në pronësi të shtetasit O. L., ku u morën një sasi bizhuterish.
Gjithashtu, janë sekuestruar disa sende të kundërligjshme, të vlefshme për hetimin.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.”, thuhet në njoftim.