Elisa Spiropali: Të rinjtë, forca që e çon Shqipërinë drejt Evropës

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka ndarë një mesazh urimi me rastin e “8 Dhjetorit”, Ditës Kombëtare të Rinisë.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo theksoi se kjo ditë simbolizon pasionin dhe energjinë e vajzave e djemve shqiptarë, të cilët mbeten një faktor kyç në rrugën e transformimit të vendit.
Ajo nënvizoi se Shqipëria po ecën më shpejt dhe më e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, duke i bërë thirrje të rinjve të jenë më shumë se kurrë pjesëmarrës, këmbëngulës dhe kontribues në ndërtimin e një Shqipërie demokratike, meritokratike, të hapur, konkurruese e inovative.
“8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, si faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale.
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte esenca e vet historisë shqiptare, në kontradiktën më të thellë e të qenurit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit europian, por njëkohësisht e ndarë gjatë e dhunshëm prej kësaj përkatësie.
Sot ecim më shpejt e më të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE, ku të rinjtë e Shqipërisë kërkohet më shumë se kurrë të jenë pjesëmarrës, këmbëngulës, kontribues për Shqipërinë demokratike, meritokratike, të hapur, konkurruese, inovative, me drejtësi e mundësi për të gjithë”, shkruan Spiropali.
/rtsh.al/