E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dhuro gjak, dhuro shpresë”, One Albania solidarizohet me nismën humane për të gjithë ata që kanë nevojë

Sa kohë që numri i të prekurve nga sëmundja e talasemisë në Shqipëri, vazhdon të rritet ndjeshëm, nevojat për dhurim gjaku mbeten të mëdha.

Nën moton “Dhuro gjak, dhuro shpresë, së bashku shpëtojmë jetë”, One Albania në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar dhe Bankën Kombëtare të Gjakut, organizuan një aksion për dhurimin e gjakut.

“Kjo është një kauz kryesisht edhe për fëmijët talasemik, të cilët janë si numër 400 gjithsej që çdo dy javë duket të marrin gjak, për të pasur një vazhdimësi jete. Kështu që bashkë me qendrën e transfuzionit dhe të përpunimit të gjakut bashkëpunojmë për ta bërë këtë fushatë herë pas here”, tha Flora Mezini, doktoreshë e kompanisë One Albania.

Shqipëria ka një numër te konsiderueshem pacientesh që vuajnë nga talasemia dhe kanë nevojë për gjak.

“Fëmijët talasemik kanë nevojë për një qese gjak një herë në dy javë që të jetojnë normal si ne, përveç mjekimit. Kështu që është e domosdoshme që ky flakon gjak të dhurohet nga njerëz të cilët janë plotësisht të shëndetshëm. Kompania One është një kompani që na jep shumë krah në nisma të tilla”, u shpreh Antigoni Qystri, koordinatore e dhurimit vullnetar të gjakut, Kryqi i Kuq.

Dhurimi i gjakut, ky akt human dhe fisnik, është shumë i nevojshëm për të shpëtuar jetën e kujdo që ka nevojë për një transfuzion qoftë të lënduarit nga aksidente, gratë që lindin apo pacientë që përballen me sëmundje kronike.

Për këtë arsye, punonjësit e liderit të telekomunikacionit i kanë qëndruar prej shumë vitesh përkrah Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Bankës së Dhurimit të Gjakut.

“Edhe këtë vit kanë qenë të shumtë punonjësit e One Albania që i janë bashkuar nismës së Kryqit të Kuq për të dhuruar gjak për fëmijët talasemik. Tashmë nisma te tilla janë kthyer në një traditë për kompaninë tonë prej 15 vitesh dhe i janë bashkuar thirrjes për të mbështetur kryqin e kuq në këtë nismë”, deklaroi Jonilda Filipi, drejtoreshë e departamentit të çështjeve të koorporatës, “One Albania”.

One Albania, një kompani e njohur për kontributin dhe vëmendjen që i kushton problematikave sociale të komunitetit, investon jo vetëm duke lidhur njerëzit përmes teknologjisë dhe rrjetit, por edhe me anë të gjesteve humane, të vogla në dukje, por që shpëtojnë jetë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›