E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialog i hapur me bizneset austriake për reformat doganore dhe integrimin në BE

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Administrata Doganore Shqiptare organizoi sot Forumin Dogana-Biznes, platformë strategjike për dialog të drejtpërdrejtë me përfaqësues të sipërmarrjeve austriake që operojnë në Shqipëri.

Takimi u fokusua tek avancimi i reformave doganore për vitin 2026, digjitalizimi i procedurave, përshpejtimi i projektit “Dritarja e vetme doganore” dhe harmonizimi me standardet e Bashkimit Europian, duke synuar një klimë më të parashikueshme dhe transparente për biznesin.

Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, rikonfirmoi angazhimin e Administratës Doganore si një partner i besueshëm i biznesit në procesin drejt standardeve evropiane.

“Ne mbështetemi në parimin e lehtësimit të mëtejshëm të tregtisë së ndershme, përmes digjitalizimit të plotë të shërbimeve dhe thjeshtimit të procedurave. Aktualisht, 100% e shërbimeve për biznesin ofrohen online, duke rritur ndjeshëm shpejtësinë, transparencën dhe duke ulur kohën e procesimit”, u shpreh ai.

Në vijim, Beja prezantoi vizionin për transformimin e plotë digjital dhe institucional të doganave shqiptare, duke theksuar rolin e inteligjencës artificiale në rritjen e efikasitetit dhe saktësisë së kontrollit:

“Synojmë kalimin drejt një administrate doganore parashikuese, të drejtuar nga të dhënat dhe e bazuar në risk. Inteligjenca artificiale do të reduktojë kontrollet e panevojshme dhe do të forcojë luftën kundër kontrabandës dhe mashtrimit fiskal”, u shpreh ai, duke shtuar se tashmë kanë nisur testimet e para të suksesshme në bashkëpunim me AKSHI dhe Microsoft.

Gjithashtu, u bë e ditur se sistemi ASYCUDA do të përditësohet në një version të avancuar me 25 module të reja në përputhje me standardet e BE-së, si dhe do të vijojë procesi i përafrimit të plotë të legjislacionit doganor shqiptar me atë të Bashkimit Europian brenda vitit 2026, në kuadër të Kapitullit 29.

Në forum mori pjesë edhe ambasadorja e Austrisë në Shqipëri, Monika Zach, e cila vlerësoi progresin e Administratës Doganore Shqiptare.

“Forume të tilla krijojnë një urë të drejtpërdrejtë komunikimi mes institucioneve dhe biznesit, duke kontribuar në një mjedis më të parashikueshëm dhe transparent për investitorët e huaj”, theksoi ajo.

Përfaqësuesit e bizneseve austriake vlerësuan rolin e Administratës Doganore si një nga institucionet lider në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar gjithashtu përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit doganor, si elementë kyç në përmirësimin e klimës së të bërit biznes në vend.

Administrata Doganore Shqiptare siguron se mbetet e angazhuar për të vijuar dialogun e hapur me komunitetin e biznesit dhe për të avancuar reformat që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të vendit.

1 nga 7

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›