Rama: Çojmë prodhimin e përgjithshëm në 35 miliardë euro në 2030-ën

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot ambicien e qeverisë që në 2030-ën prodhimi i përgjithshëm bruto i vendit të arrijë në 35 miliardë euro.
Gjatë takimit të Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama tha se “e kemi marrë ekonominë e këtij vendi me më pak se 10 miliardë euro prodhim të përgjithshëm. Sot që flasim e kemi çuar në afro 27 miliardë euro. Duam ta çojmë në 35 miliardë euro në 2030-ën”.
Duke u ndalur tek turizmi, Rama tha se “ne e kemi marrë Shqipërinë me 2 milionë e ca turistë, ku llogariteshim për turistë dhe unë me Pjerinin. Sa herë që ktheheshim nga ndonjë udhëtim, na llogarisnin për turistë. Edhe vetë burri i huaj që ishte kryeministër e llogariste veten për turist kur kthehej dhe thoshte 2 milionë e ca turistë”.
“Edhe investimet e huaja kanë qenë 300-400 milionë euro në vit. Kemi arritur në 12 milionë turistë dhe kemi kaluar 1,5 miliardë euro investime të huaja”, tha Rama.
/k.s/a.f/r.e/