E Hënë, 2 Nëntor 2026

Diploma, licenca e vula false/ Zbulohet laboratori në Tiranë, sekuestrohen qindra dokumente, në pranga 51-vjeçari

Policia e Tiranës ka zbuluar një ambient të përshtatur si laborator për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve të ndryshme, si dhe licencave profesionale në Zall-Bastar dhe ka arrestuar një 51-vjeçar. Ndërkaq janë sekuestruar qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme, që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Sipas të dhënave zyrtare, Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Laboratori”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. T., 51 vjeç.

Gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, në Zall-Bastar, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve, programeve master dhe licencave profesionale.

Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›