E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Botërore e Autizmit, Koçiu: Dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara, njihen sigurimet për kujdestarët

Në kuadër të Ditës Botërore të Autizmit, qeveria shqiptare ka vendosur të dyfishojë pagesën mujore për rreth 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe të njohë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për 14 mijë kujdestarë dhe ndihmës që kujdesen për ta.

Gjatë aktivitetit “PAK Art në Pedonale”, të zhvilluar në Berat, Zv.kryeministrja Albana Koçiu theksoi se kjo kategori do të përfitojë shërbime më të specializuara dhe kujdes më të posaçëm.

“Qeveria shqiptare ka ndërmarrë iniciativën për të dyfishuar pagesën mujore për fëmijët me aftësi të kufizuara deri në 18 vjeç, duke krijuar më shumë mundësi dhe kushte për familjet e tyre. Njëkohësisht, do të njihen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për mbi 14 mijë kujdestarë, të cilët ia dedikojnë jetën e tyre kujdesit ndaj personave me aftësi të kufizuara. Kjo është një detyrim moral dhe ligjor për t’u garantuar një pension dinjitoz dhe mbështetje të plotë nga skema e sigurimeve”, tha Koçiu.

Zv.kryeministrja shtoi se këto masa janë pjesë e Planit të Veprimit për personat me aftësi të kufizuara 2026-2030, i cili synon integrimin e shërbimeve shëndetësore, arsimore dhe sociale në një sistem gjithëpërfshirës, duke lehtësuar jetën dhe bashkëjetesën e tyre në komunitet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›