Dita Botërore e Mjedisit

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Sot është Dita Botërore e Mjedisit.
E udhëhequr nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) dhe e mbajtur çdo vit më 5 qershor, që nga viti 1973, Dita Botërore e Mjedisit është platforma më e madhe globale për ndërgjegjësimin mjedisor.
“Dita Botërore e Mjedisit 2026 na kujton se ende kemi kohë për të ndryshuar kursin. Toka po na dërgon sinjale. Pyetja është: çfarë sinjali do të dërgojmë në këmbim?”, shkruan OKB në faqen e saj zyrtare.
OKB kujton se planeti ynë, Toka, po na flet përmes temperaturave rekord, zjarreve më intensive, stuhive ekstreme dhe akullnajave që zhduken para syve tanë.
Për vite me radhë, kemi thënë se kufizimi i ngrohjes globale në 1,5 gradë Celsius është thelbësor për të shmangur ndikimet më të këqija të ndryshimeve klimatike. Sot, ky prag është shumë afër tejkalimit. Ndryshimi i klimës nuk përbën më një kërcënim të ardhshëm: ai po riformëson jetën në të gjithë planetin.
Gjithsesi OKB thotë se, komunitetet po rivendosin ekosistemet. Të rinjtë po nxisin ndryshimin, energjia e pastër po transformon qytetet dhe shtëpitë. Zgjidhjet e qëndrueshme tashmë po ndërtojnë një të ardhme të ndryshme.
Për ta mbajtur ngrohjen globale nën 1,5° Celsius këtë shekull, duhet të përgjysmojmë emetimet vjetore të gazrave serrë deri në vitin 2030. Pa veprime, ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit përtej udhëzimeve të sigurta do të rritet me 50% brenda dekadës dhe mbetjet plastike që derdhen në ekosistemet ujore pothuajse do të trefishohen deri në vitin 2040. Kështu që, nevojiten veprime urgjente për të adresuar këto çështje urgjente.
/j.p/r.e/