SHËN PETERBURG – Putin: Rusia nuk është kundër afrimit ekonomik të Ukrainës me BE-në

SHËN PETERBURG, 5 qershor /ATSH-DPA/ – Gjatë një takimi me përfaqësues të medieve ndërkombëtare në Shën Peterburg, presidenti rus, Vladimir Putin u shpreh se Rusia nuk ka kundërshtime ndaj propozimit të kancelarit gjerman Friedrich Merz, për t’i ofruar Ukrainës një status të veçantë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Kjo nuk është puna jonë. Ne nuk jemi kundër”, tha ai në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Peterburgut (SPIEF).
Sipas Putinit, Moska nuk kundërshton integrimin ekonomik dhe bashkëpunimin në kontinentin evropian.
Megjithatë, presidenti rus theksoi se Rusia kundërshton atë që e konsideron shndërrimin e Bashkimit Evropian në një bllok ushtarak.
“Ne jemi kundër që BE-ja të kthehet në një bllok ushtarak”, deklaroi ai, duke argumentuar se zhvillime të tilla krijojnë shqetësime për Rusinë.
Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare i kanë ofruar Kievit mbështetje të konsiderueshme ushtarake dhe financiare.
Paralelisht, në Evropë janë intensifikuar diskutimet për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, mes pasigurive mbi praninë e ardhshme ushtarake amerikane në kontinent.
Përmes forumit të tij kryesor ekonomik, Moska synon të paraqesë Rusinë, si një aktor të qëndrueshëm në skenën ndërkombëtare, pavarësisht ngadalësimit të rritjes ekonomike, më shumë se katër vjet pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe përballë sanksioneve perëndimore.
Sipas Kremlinit, rreth 20 000 pjesëmarrës nga më shumë se 100 vende janë regjistruar për të marrë pjesë në forum. //a.i/