E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dita Ndërkombëtare e Detarisë, programe të reja praktike për studentët në portin e Durrësit

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Porti i Durrësit mirëpriti partnerë, miq dhe dashamirës të sektorit detar në një aktivitet të veçantë kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Detarisë, me temën e këtij viti “Sea the Future”.

Ky aktivitet, tashmë i kthyer në një traditë të përvitshme, u zhvillua për të pestin vit radhazi si një moment reflektimi dhe vizioni mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e industrisë detare shqiptare.

Drejtori i Portit të Durrësit, Kreshnik Bajraktari tha se detaria nuk është vetëm një sektor ekonomik, por një pjesë e identitetit tonë kombëtar.

Kreu i Portit të Durrësit bëri të ditur se janë ndërmarrë hapa konkretë për modernizim, investime të qëndrueshme dhe përfshirjen e teknologjive të reja që e afrojnë këtë port me standardet më të avancuara europiane.

“Dy projektet madhore zënë një vend qendror në vizionin tonë. Porti i ri tregtar në Porto Romano, i cili do të jetë një nyje logjistike me gravitet madhor në rajon, por po ashtu edhe projekti i Marinës së Jahteve, i cili me progresin e deritanishëm premton transformimin e plotë të ballinës ujore të Durrësit turistik. Këto investime strategjike do ta transformojnë infrastrukturën tonë portuale, duke e bërë më konkurruese në nivel rajonal dhe duke e kthyer në një pikë referimi për të ardhmen e detarisë shqiptare”, nënvizoi Bajraktari.

Në fjalën e tij, Bajraktari u ndal edhe tek shpallja e programeve të reja praktike për studentët, duke krijuar mundësi konkrete për t’u përfshirë në sektorin detar dhe për të fituar eksperienca reale në administratën portuale dhe terren.

“Të rinjtë janë forca lëvizëse e së ardhmes, ndaj programet e praktikave që shpallim sot nëpërmjet Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare janë një mundësi konkrete për t’i afruar ata më pranë sektorit detar, për t’i pajisur me eksperienca praktike reale dhe për t’i bërë pjesë të këtij transformimi”, tha Bajraktari.

Ekspozitat, panelet e diskutimit dhe prezantimet e zhvilluara gjatë aktivitetit ofruan hapësirë për ndarjen e ideve dhe adresimin e sfidave që ky sektor përballet sot.

Dita Ndërkombëtare e Detarisë në Portin e Durrësit nuk është thjesht një ditë festive, por një premtim i përbashkët për të ndërtuar një industri detare më të qëndrueshme, inovative dhe konkurruese. Përmes bashkëpunimit të institucioneve, akademisë dhe komunitetit, si dhe investimeve në infrastrukturë dhe burime njerëzore, po hidhen themelet për një të ardhme më të fortë për detarinë shqiptare. /j.p/

/k.s/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›