E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rreth 92% e biznesve raportuan fitime gjatë pjesës së parë të vitit

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Rreth 92% e biznesve në vend kanë raportuar fitime gjatë pjesës së parë të këtij vitit.

Banka e Shqipërisë ka publikuar Raportin e Stabilitetit Financiar ku bën të ditur se, ecuria e shitjeve vlerësohet pozitive gjatë gjysmës së parë të vitit 2025,  dhe indeksi më i lartë i shitjeve është regjistruar në ndërmarrjet e mëdha dhe ato të sektorit të ndërtimit dhe të tregtisë.

Sipas BSH-së, për gjysmën e dytë të vitit 2025, të tre grupet e ndërmarrjeve (të vogla, të mesme dhe të mëdha) presin rritje të mëtejshme të shitjeve dhe të rezultatit financiar. Këto pritshmëri kanë rezultuar në rritje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë, veçanërisht në grupin e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha.

Performanca më e mirë financiare ka ndikuar gjithashtu në uljen e nivelit të borxhit ose huave për bizneset. Rreth 33% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë aktualisht hua për të paguar, dhe kjo peshë ka rënë me përkatësisht 3 dhe 4 pikë përqindjeje, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë.

Gjithashtu rreth 85% e ndërmarrjeve e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e tyre të huamarrjes, 7% e konsiderojnë të ulët dhe 8% e konsiderojnë të lartë. Krahasuar me periudhën e kaluar, kërkesa për financim te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ka mbetur e pandryshuar, ndërsa te ato të mëdha ka shënuar rënie.

Krahasuar me periudhën e kaluar, raporti hua/kapital ka shënuar rritje vetëm në sektorin e ndërtimit. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›