E Martë, 3 Nëntor 2026

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, Spiropali: Kuvendi, i angazhuar të mbështesë rritjen e pagave

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, shprehu mirënjohjen për të gjithë punëtorët shqiptarë, duke theksuar se “puna e denjë është themeli i një shoqërie të drejtë”.

“Respekt e mirënjohje për punëtoret dhe punëtorët shqiptarë, që çdo ditë, me përkushtim e sakrificë, mbajnë gjallë ekonominë, kujdesen për familjet e tyre dhe ndërtojnë një Shqipëri europiane, më të zhvilluar, më solidare”, thekson Spiropali në mesazhin e urimit.

Kryeparlamentarja Spiropali u shpreh se “Kuvendi i Shqipërisë është i angazhuar të mbështesë rritjen e pagave dhe ngushtimin e dallimeve e të pabarazisë, përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë, sidomos në sektorët e prodhimit”.

Gjithashtu, u shpreh Spiropali, Kuvendi do të forcojë mbrojtjen ligjore të punëtorëve, përfshirjen më të madhe të vajzave dhe grave në tregun e punës si dhe zgjerimin e hapësirave për punësimin e të rinjve, për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve përkujton betejat dhe arritjet e bëra nga punëtorët dhe lëvizja punëtore.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›