Dita e shtatë e grevës së urisë, naftëtarët e Marinzës kërkojnë paga më të larta, 3 prej tyre shfaqin probleme shëndetësore

Ka hyrë në ditën e shtatë greva e urisë së 10 naftëtarëve të Marinzës, teksa tre prej tyre kanë shfaqur probleme shëndetësore.
Gazetarja e RTSH, Laureta Roshi, ka bërë me dije se ndonëse shenjat e lodhjes te naftëtarët janë të dukshme, ata vijojnë me vendosmëri ndaj qëndrimit për t’i shkuar grevës së urisë deri në plotësimin e kërkesave për paga më të larta dhe trajtim më dinjitoz.
“Dita e shtatë e grevës së urisë së 10 naftëtarëve sindikalistë të Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve po kërkon më shumë se kurrë sot mbështetje dhe reagime jo vetëm zyrtare, por edhe të gjithë komunitetit. Gjendja e tyre shëndetësore po vjen duke u rënduar. Dy prej grevistëve kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa personi i tretë që humbi ndjenjat dje ishte njëri prej personave që iu bashkua grevës si pjesë e bojkotit të punës, 1 nga 250 naftëtarët.
Greva e naftëtarëve po kalon në heshtje sa i takon reagimit të shoqërisë ‘Bankers Petroleum’, e cila pas ndërprerjes së bisedimeve me sindikalistët ka ofruar vetëm një email në ditën e tretë të grevës, me pak përmirësim në dietën ushqimore dhe asgjë tjetër”, deklaroi Roshi.
Naftëtarët kërkojnë rritje të fondit të përgjithshëm të pagave me 18% dhe shpërndarje të kësaj shtese për pagat e ulëta, nëpërmjet një komisioni me përfaqësues edhe nga Sindikata, si dhe krijimin e fondit sindikal. Për të dyja kërkesat e mësipërme, kompania i qëndron deklarimit se nuk janë të parashikuara nga Marrëveshja Kolektive e nënshkruar nga palët dhe nuk mbështeten ligjërisht.
Shoqëria Bankers Petroleum ofroi 4.200 lekë/muaj shtesë për dietën ushqimore, gjë e cila u refuzua nga ana e Sindikatës me arsyen se nuk adreson problemin real të pabarazisë së pagave. Kompania i shfrytëzon burimet e naftës në Fushë-Marinzë prej 20 vitesh, duke pasur nën administrim 600 puse me 400 naftëtarë të punësuar.
/rtsh.al/