E Premte, 6 Nëntor 2026

Egnatia pëson humbjen e parë në Conference League, mposhtet 2-0 nga Universitatea Craiova - ATSH -

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Egnatia është mundur 2-0 nga Universitatea Craiova në ndeshjen e vlefshme për raundin e tretë të fazës së ligës në Conference League.

Në stadiumin “Ion Oblemenco” të Craiovas, rrogozhinasit e nisën vrullshëm takimin, duke ushtruar presion ndaj vendasve. Adjesa pati mundësinë e parë për të kaluar në avantazh Egnatian.

Megjithatë, rumunët fituan terren me kalimin e minutave dhe në të 24-ën zhbllokuan rezultatin me Cicâldău. Vetëm tetë minuta më pas, Bancu dyfishoi shifrat, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazhin 2-0 për vendasit.

Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat krijuan raste shënimi, me Universitatea Craiova që u tregua kërkuese, por rezultati mbeti i pandryshuar.

Situata u vështirësua edhe më shumë për Egnatian në minutën e 82-të, kur Bitri u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë.

Kjo ishte humbja e parë e Egnatias në këtë edicion të Conference League. Skuadra shqiptare mbetet në kuotën e dy pikëve, pas dy barazimeve në ndeshjet e mëparshme, ndërsa Universitatea Craiova ngjitet në shtatë pikë.

/gj.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›