E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dogana mirëpret takimin e 31-të të Rrjetit të Koordinatorëve Kombëtarë të Programit Customs të BE

TIRANË, 12 maj/atsh/ Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në bashkëpunim me Komisionin Europian, organizoi Takimin e 31-të të Rrjetit të Koordinatorëve Kombëtarë të Programit “EU Customs”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të administratave doganore të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate.

Aktiviteti u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet administratave doganore, shkëmbimin e eksperiencave mbi zbatimin e programit “EU Customs”, si dhe diskutimin e prioriteteve të ardhshme në funksion të modernizimit dhe harmonizimit të sistemeve doganore europiane.

Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, vlerësoi rëndësinë strategjike të Programit “EU Customs” për Administratën Doganore Shqiptare dhe procesin e integrimit europian të vendit. Ai theksoi se përmbushja me përpikmëri e kushteve në fushën doganore mbetet një nga prioritetet kryesore të administratës doganore në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Beja bëri të ditur se paketa e ndryshimeve në Kodin Doganor shqiptar është dërguar tashmë në Ministrinë e Financave, me synimin për të arritur përafrimin e plotë të legjislacionit doganor shqiptar me acquis communautaire të Bashkimit Europian.

Beja nënvizoi gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Europian përmes Programit “EU Customs” ka luajtur një rol të rëndësishëm në modernizimin e Administratës Doganore Shqiptare, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e proceseve të harmonizimit me standardet europiane, me objektivin për të mbyllur negociatat për Kapitullin 29  “Bashkimi Doganor” gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.

Në kuadër të takimit, pjesëmarrësit diskutuan mbi vlerësimin e ndërmjetëm të Programit “EU Customs”, zhvillimet mbi Kornizën Strategjike të Menaxhimit Doganor (SMCP), si dhe rolin e aktiviteteve bashkëpunuese, vizitave të punës, seminareve dhe grupeve të ekspertëve në forcimin e administratave doganore.

Një pjesë e rëndësishme e axhendës iu kushtua edhe eksperiencës së vendeve kandidate në pjesëmarrjen në Programin “EU Customs”, ku Shqipëria prezantoi progresin e saj në drejtim të integrimit europian, pjesëmarrjes aktive në aktivitetet e programit dhe zhvillimit të sistemeve doganore sipas standardeve të Bashkimit Europian.

1 nga 2

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›