E Diel, 1 Nëntor 2026

Peleg: Partneriteti Shqipëri–Izrael sjell inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm në bujqësi

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, ambasadorja e Izraelit në Shqipëri Galit Peleg, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, si dhe të ftuar të tjerë, zhvilluan sot në Cërrik një vizitë në fermën eksperimentale të shkollës profesionale “Mihal Shahini”.

Kjo fermë është realizuar nga Agjencia Izraelite për Bashkëpunim dhe Zhvillim, (MASHAV) dhe synon të shërbejë si platformë edukimi, trajnimi dhe demonstrimi për nxënësit dhe fermerët, duke u mundësuar përdorimin e metodave inovative në bujqësi dhe duke e kthyer këtë atë në një model bashkëkohor të zhvillimit rural dhe arsimit profesional.

Ambasadorja Peleg vlerësoi se ky projekt shkon përtej një investimi në infrastrukturë bujqësore, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm të partneritetit mes dy vendeve.

“Sot është më shumë se hapja e një ambienti bujqësor, është momenti për të kremtuar fazën e partneritetit dhe bashkëpunimeve të përbashkëta dhe besimit të ndërsjellë që njohuria, inovacioni dhe bashkëpunimi mund të transformojnë jetë dhe komunitete”, u shpreh Peleg.

Ajo theksoi se MASHAV ka ndërtuar prej dekadash një filozofi zhvillimi të bazuar në bashkëpunim ndërkombëtar. “Që prej themelimit, agjencia izraelite për bashkëpunim dhe zhvillim ka punuar në mbarë botën me besimin se mënyra më e mirë për zhvillim është përmes partneriteteve të mirëfillta që fuqizojnë komunitetet për t’u dhënë atyre mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre”, tha ambasadorja.

Duke folur për qasjen e projektit, Peleg nënvizoi rëndësinë e aksesit të teknologjisë për të gjithë fermerët. “Theksi ynë ka qenë tek adaptimi i zgjidhjeve të mençura, jo vetëm për ekonomitë e mëdha dhe të avancuara, por edhe për fermat e vogla. Inovacioni ka kuptim vetëm kur është i aksesueshëm”, nënvizoi ajo.

Ajo shtoi se njohuria ka vlerë vetëm kur ndahet dhe kur sjell ndikim konkret.

“Njohuria është fuqi vetëm kur ndahet me të tjerët dhe ka ndikim kur arrin njerëzit. Kjo është filozofia e kësaj ferme ku jemi sot”, tha Peleg.

Sipas saj, në gjashtë muajt e fundit ferma është transformuar në një qendër inovative me tre sera moderne, pajisje të avancuara për mjeljen e bagëtive dhe një sistem vaditjeje me pika të kontrolluar nga teknologjia kompjuterike.

“Ne shpresojmë që kjo fermë të bëhet më shumë se një fermë eksperimentale dhe që fermerët dhe të rinjtë të vijnë këtu për të mësuar dhe për t’u frymëzuar për risitë e reja në bujqësi”, u shpreh ambasadorja, duke shtuar se qendra mund të shërbejë edhe si model didaktik për rajonin.

Ajo theksoi gjithashtu dimensionin historik të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Kjo shënon një kapitull tjetër në marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Izraelit, që kanë rrënjë historike që nga koha kur Shqipëria hapi zemrat për të strehuar hebrenjtë gjatë Holokaustit”, theksoi Peleg.

Në përfundim, Peleg iu drejtua studentëve të shkollës profesionale, duke e cilësuar fermën si një trashëgimi për ta. “Kjo është e ardhmja juaj dhe ju do të kujdeseni për të, duke u bërë drejtues dhe prodhues të së ardhmes. ‘Ata që mbjellin me përpjekje do të korrin me gëzime’”, u shpreh ajo.

Ky projekt synon modernizimin e sektorit bujqësor në Shqipëri përmes teknologjive të reja, trajnimit profesional dhe krijimit të një modeli të qëndrueshëm zhvillimi rural, duke forcuar më tej bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Izraelit në fushën e inovacionit dhe bujqësisë.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›