Doganat dhe UNODC forcojnë bashkëpunimin për kontrollin kufitar dhe luftën kundër trafiqeve të paligjshme

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi sot një takim me një delegacion të UNODC Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, të kryesuar nga Danilo Rizzi, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e kontrollit kufitar dhe luftës kundër trafiqeve të paligjshme.
Gjatë takimit u diskutua zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve të administratës doganore, rritja e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe mbështetja që UNODC ofron përmes programeve të asistencës teknike dhe ndërtimit të kapaciteteve.
Në fokus ishte edhe zbatimi i programit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe UNODC për forcimin e masave të kontrollit kufitar në rajonin e Evropës Juglindore, i cili synon të rrisë kapacitetet e agjencive ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, nga 4 deri më 8 maj 2026, në Tiranë do të zhvillohet një trajnim praktik për njësitë e kontrollit në aeroporte (Airport Control Units – ACU), në kuadër të Programit për Kontrollin e Pasagjerëve dhe Ngarkesave të UNODC, me pjesëmarrjen e oficerëve të doganës dhe policisë kufitare.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit në kufijtë e vendit.
1 nga 3/a.f/