E Hënë, 2 Nëntor 2026

Malësi e Madhe, makina përplas për vdekje 68-vjeçaren, shoqërohet në polici shoferi slloven

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar pasditen e së mërkurës në veri të vendit, duke i marrë jetën një këmbësoreje.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:05, në aksin rrugor nacional “Shkodër – Hani i Hotit”. Sipas informacioneve paraprake nga Policia e Shtetit, një automjet që drejtohej nga shtetasi slloven me inicialet K. J., ka përplasur shtetasen P. L., 68 vjeçe, e cila ishte duke ecur në rrugë.

Përplasja ka rezultuar fatale për të moshuarën, e cila për shkak të plagëve të marra ka humbur jetën në vendngjarje.

Menjëherë pas aksidentit, shërbimet e policisë kanë bërë të mundur ndalimin dhe shoqërimin e drejtuesit të mjetit, shtetasit slloven K. J., në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale.

“Rreth orës 17:05, në aksin rrugor “Shkodër – Hani i Hotit”, automjeti me drejtues shtetasin slloven K. J., ka përplasur këmbësoren, shtetasen P. L., 68 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, shtetasja P. L. ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit shtetasi K. J., është  shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.”, njoftoi policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për të sqaruar dinamikën e plotë të aksidentit dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›