Dosja “Gërdeci”, Mediu: Pretendimi i prokurorisë, i pabazë

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua sot seanca e radhës për dosjen “Gërdeci”.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i pandehur në këtë dosje, paraqiti para Gjykatës së Posaçme kundërshtitë e tij mbi përgjigjet e ekspertëve për akt-ekspertimin tekniko ushtarak.
“Sipas urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm, del qartë që shpenzimet për transportin e municioneve nuk kanë qenë pjesë e kompetencave të ministrit të Mbrojtjes”, tha Mediu në gjykatës sipas medieve.
Mediu ka cituar ligjin për buxhetin, që i konsideron fondet e donatorëve për demontim si pjesë e buxhetit të Ministrisë se Mbrojtjes.
“Në çdo rast tjetër transporti është bërë nga Forcat e Armatosura”, tha ai.
Ndërkohë në dalje nga gjykata, për mediet ai u shpreh se pretendimi i prokurorisë është i pabazë.
“I pabazë është gjithë pretendimi i prokurorisë që ka thënë dhe vetë që nuk dimë çfarë janë kalibrat, por bazohet pastaj në një analizë në dëshirën e shtuar të ekspertëve për të shtuar çfarë thonë librat rusë. Nuk kam qenë ministër i Traktatit të Varshavës, jam përpjekur për Shqipërinë që të bëhet vend anëtar i NATO-s”, tha Mediu.
Seanca e radhës për dosjen “Gërdeci” do të zhvillohet në datën 22 prill në orën 11:00. /j.p/