E Martë, 3 Nëntor 2026

SPAK dërgon për gjykim 27 të pandehur, anëtarë të dy grupeve kriminale

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykim të 27 të pandehurve, anëtarë të dy grupeve të strukturuara kriminale.

Siç njofton SPAK,  “të pandehurit janë: Endri Seiti, Luan Tafalla, Km Shaqiful Islam, Endrit Ismailaj, Alok Mittra, Arnol Shpata, Xhuljeta Çopa, Artur Mata, Antonio Specchio, Altin Hasani, Edmond Braha, Emmanuel Delphin Assako Ella, Arjel hoxha, Orkid Pijaneci, Arba Hysenllari, Ermal Hoxha, Artan Sulaj, Luan Sulaj, Shkelzen Matmuja (Bokciu), Faik Matmuja, Bukurosh Muja, Lulzim Lami, Tome Preka, Xhuljo Krasniqi, Edmond Baklli, Iglan Alliçi, Arben Domi”.

Sipas SPAK ata akuzohen për veprat penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë me qëllim përfitimi, “Falsifikim i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e krijimit, drejtimit, organizimit apo pjesëmarrjes, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”, “Korrupsion  aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

“Nga hetimi rezulton e provuar ekzistenca e dy grupeve kriminale, të përbërë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit shqiptar të mbi 650 shtetasve të huaj, kryesisht nga vendet e Azisë së Jugut (Bangladeshi) dhe Afrikës Qendrore (Kameruni), gjatë vitit 2023 deri në prill të vitit 2024, kundrejt përfitimit material”, njoftoi SPAK.

Sipas SPAK “këto grupe kriminale besohet të kenë kryer të njëjtën veprimtari edhe në vitin 2022 edhe me shtetas të huaj nga vende te tjerë”.

“Shqipëria provohet të jetë përdorur si vend tranzit, territor përmes të cilit është lehtësuar hyrja e ligjshme e shtetasve të huaj nga kontinentet e Azisë dhe Afrikës në kontinentin e Evropës përmes transportit ajror dhe ka vijuar në mënyrë të paligjshme përmes transportit tokësor, drejt rrugës ballkanike. Kjo veprimtari bëhej duke shfrytëzuar aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë punësimin e shtetasve të huaj”, njoftoi SPAK.

SPAK njoftoi se “në lidhje me pagesat e kryera provohet se secili nga shtetasit e huaj nga Bangladeshi kanë paguar shuma parash, të cilat variojnë nga gjashtëmijë deri në tetëmijë euro. Këto shuma parash paguheshin prej tyre kryesisht në Dubai dhe më pas transferoheshin në Shqipëri tek drejtuesit e grupit nëpërmjet sistemit “Hawala””.

Nga kontrollet e ushtruara në banesat e të pandehurve  janë sekuestruar 700.000 (shtatëqind mijë) dollarë amerikanë, 400.000 (katërqind mijë) Euro, 4 000 (katër mijë) Pound, 520.000 lekë. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›