Stërvitja “Flood North Albania”, Vengu: Të përgatitur për përballimin e emergjencave

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me forca nga tetë vende evropiane kanë demonstruar përgjatë pesë ditëve, reagimin në terren ndaj përmbytjeve: operacione kërkim-shpëtimi, evakuim të banorëve dhe gjësë së gjallë, si dhe largim të ujërave.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh sot se “mbrojtja civile është prioritet kombëtar dhe Qeveria shqiptare do të vazhdojë të investojë në kapacitete dhe të përforcojë bashkëpunimin ndërkombëtar, kaq të rëndësishëm në përballimin e fatkeqësive natyrore”.
Ministri Vengu tha se stërvitja “Flood North Albania”, e para e këtij lloji dhe këtyre përmasave në Shqipëri reflekton këtë vendosmëri.
Gjatë fjalës së tij, ministri Vengu theksoi rëndësinë e kësaj stërvitjeje si një moment domethënës për Mbrojtjen Civile në Shqipëri dhe një dëshmi konkrete e angazhimit të vendit tonë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian: “Shqipëria është ndër vendet më të prekura nga përmbytjet në Evropë, me rreth 50 mijë qytetarë të prekur çdo vit dhe dëme, që kapin vlerën e 35 milionë eurove. Prandaj, mbrojtja civile është kthyer në një prioritet strategjik për qeverinë dhe një pjesë e konsiderueshme e investimeve tona mbrojtëse janë përqendruar pikërisht në këtë fushë. Sot mund të themi me bindje se jemi më të përgatitur. Kemi ngritur strukturat e nevojshme, kemi investuar në infrastrukturë parandaluese dhe kemi forcuar ndjeshëm bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë”, nënvizoi ministri i Mbrojtjes.
Sipas tij, kjo stërvitje është një provë konkrete e këtij progresi dhe e frymës rajonale të bashkëpunimit: “Qasje të tillë të përbashkëta, si kjo stërvitje, ndihmojnë më tej në mbledhjen e ekspertizës dhe kapaciteteve të reaguesve të parë, shmang mbivendosjen e përpjekjeve të ndihmës duke mundësuar një përgjigje kolektive më të fortë dhe më koherente”.
Ndër të tjera, ministri i Mbrojtjes evidentoi faktin se, tashmë Shqipëria është pjesëmarrëse në Mekanizmit e Mbrojtjes Civile të BE dhe jep kontributin në tryezat, ku përgatiten politikat, masat, aktet e Mbrojtjes Civile për të gjithë hapësirën e Ballkanit e të BE-së, por edhe me ndihmë konkrete në terren.
Ministri i Mbrojtjes, i shoqëruar edhe nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako dhe përfaqësues të vendeve partnere ndoqën nga afër edhe demonstrimet e forcave në një operacion të simuluar kërkim-shpëtimi, evakuim të banorëve dhe gjësë së gjallë si dhe largim uji me pompa me kapacitet të lartë, që u zhvillua në zonën e Dajçit, në Shkodër.
Në këtë demonstrim morën pjesë ekipe nga Shqipëria, Bullgaria, Italia, Greqia dhe ekipi i BE.
Stërvitja “Flood North Albania” shërbeu për të testuar përgatitjen dhe kapacitetet reaguese të forcave të Mbrojtjes Civile për përballimin e përmbytjeve, për të vlerësuar gatishmërinë e institucioneve vendase dhe për të forcuar koordinimin mes autoriteteve kombëtare dhe ndihmës ndërkombëtare.
Ky ushtrim shënon gjithashtu një sukses organizativ për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, e cila ka një rol kyç si lider i projektit, që financohet nga DG ECHO – Bashkimi Evropian (Directorate-General for European Civil Protection and Humanitarian Aid Operations). Projekti nisi në janar 2024 dhe pritet të përfundojë në dhjetor 2025, me pjesëmarrjen e vendeve partnere si Mali i Zi, Kosova, Greqia, Italia, Qipro, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.
Nga stërvitja Flood North Albania 1 nga 20/r.e//a.f/