Dosja “Ura”, Prokurori italian: Vlerësojmë bashkëpunimin me palën shqiptare, hetim që shkon përtej kufijve

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Prokurori i dosjes “Ura” në Prokurorinë e Republikës së Italisë në rajonin e Barit, Ettore Cardinali theksoi sot se kufijtë nuk janë më pengesë, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin me palën shqiptare në hetimin dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë lidhur me publikimin e rezultateve të hetimit të përbashkët me SPAK, Cardinali vlerësoi se “me kontributin e secilit kemi arritur të ndërtojmë një hetim që shkon përtej kufijve”.
“Vlerësoj bashkëpunimin me gjyqtarët, forcat e rendit, shkëmbimin e informacioneve me Eurojust, DIA, policia e re gjyqësore në SPAK. Nëse duke punuar bashkë për të njëjtin qëllim vendosim angazhimin tonë, mund të arrijmë nivele që më parë ishin të vështira për t’u arrirë”, tha ai.
Prokurori italian vlerësoi se “në këto vite bashkëpunim, mund të arrijmë të perfeksionojmë hetimet tona duke përdorur burime teknologjike”.
“Çdo gjë që vjen përmes përgjimit, por edhe burimet e marra nga baza e të dhënave si Eurojust apo chat-et e disponueshme në serverët e sekuestruara më parë. Po ashtu edhe burimet e reja që afrojnë ligjin italian me atë shqiptar si bashkëpunëtorët e drejtësisë. Ata kanë dhënë një kontribut edhe më të madh për hetimin, për të arritur te flukset ekonomike, pra për të ndjekur paratë përtej kufijve”, tha ai.
Sipas prokurorit italian “kufijtë nuk janë më pengesë se ekziston ky shkëmbim i vazhdueshëm informacionesh që na ka lejuar edhe të sekuestrojmë pasuri që janë krijuar në mënyrë të paligjshme”.
“Të gjitha të ardhurat e paligjshme të transportuara në Shqipëri u hetuan me anë të një analize të detajuar. Prova e këtij bashkëpunimi është prania jonë këtu sot. Ne kemi vendosur të ndjekim këto masa në Shqipëri dhe Itali por e kemi bërë me një regji ndërkombëtare që lejoi të mos përhapeshin informacionet e hetimit, duke arritur këtë rezultat shumë të mirë. Ndajmë të njëjtat rezultate sepse jemi një skuadër e përbashkët që me kohën po perfeksionohet”, tha ai.
/a.f/