E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja e Sterilizimit, GJKKO shpall vendimet për të pandehurit

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) shpalli sot vendimin për dosjen “Sterilizimi” duke dënuar ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin fitues të koncesionit, Ilir Rrapaj me nga 4 vite burgim efektiv, duke përfituar nga zbritja e dënimit për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar.

Procesi gjyqësor, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes publike për shkak të dyshimeve për abuzime me fondet shtetërore në sektorin e shëndetësisë, u mbyll me dënime më të lehta sesa ato që kishte kërkuar Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Për ish-zëvendësministrin Rrjepaj, i cili u shpall fajtor për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”, SPAK kishte kërkuar fillimisht 10 vite burg, që me gjykim të shkurtuar përkthehej në 6 vite e 8 muaj.

Megjithatë, trupi gjykues vendosi një dënim bazë prej 6 vitesh, që i zbritet në 4 vite burgim përfundimtar. Të njëjtën masë dënimi dhe të njëjtin reduktim mori edhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Përtej dy figurave qendrore, GJKKO ka dhënë dënime me burg, punë në komunitet dhe shërbim prove edhe për zyrtarët e tjerë të përfshirë në komisionin e dhënies së koncesionit apo në hartimin e dokumentacionit.

Marsela Serjani (Sedjanaj) u dënua me 3 vite burg për shpërdorim detyre, ndërsa Samir Kadiu me 2.4 vite burgim për falsifikim dokumentesh.

Ndërkohë, për katër të pandehurit e tjerë (Petraq Mersini, Arben Gjata, Genci Byrazeri dhe Naile Ajazi), gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit me burg dhe kalimin e tyre në shërbim prove.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›