Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili mirëpret ambasadorin britanik Abbott/ Fokus në dixhitalizim, arkivë moderne dhe rritje të kapaciteteve profesionale

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Z. Nicholas Abbott, u prit sot në mjediset e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), ku zhvilloi një takim të përqendruar në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, u prit nga Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Znj. Eni Vasili ku diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit dhe projektet në fushën e dixhitalizimit dhe modernizimit mediatik.
Bashkëbiseduesit u fokusuan tek zhvillimi i projekteve të përbashkëta, shkëmbimet televizive dhe programore, mbështetja teknike me pajisje moderne veçanërisht në funksion të procesit të dixhitalizimit duke përfshirë edhe arkivën, si dhe rritja e kapaciteteve profesionale të stafit të RTSH.
Në përfundim të takimit, ambasadori Abbott u njoh nga afër me veprimtarinë e RTSH përmes një turi në njësinë e lajmeve, studiot televizive dhe arkivën e institucionit.
Vizita shërbeu për të prezantuar potencialin e RTSH dhe për të theksuar angazhimin e tij në modernizimin e shërbimit publik mediatik.
RTSH mbetet plotësisht e angazhuar në ndërtimin dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, me synim përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit publik dhe përafrimin me standardet më të avancuara të medias europiane.
/rtsh.al/