E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejtori i Policisë së Shtetit takim me ambasadorin e Brazilit dhe zëvendësambasadorin, fokusi te bashkëpunimi mes dy vendeve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka pritur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ambasadorin e Republikës Federative të Brazilit João Tabajara De Oliveira Júnior dhe Zëvendësambasadorin, Ministër Këshilltar, Ricardo Primo Portugal.

Drejtori dhe Ambasadori konfirmuan gatishmërinë e plotë të organizatave që ata përfaqësojnë, për të intensifikuar bashkëpunimin, në koordinimin e INTERPOL dhe EUROPOL, me qëllim goditjen e rrjeteve të trafiqeve dhe krimeve të tjera ndërkombëtare.

Gjithashtu, Proda dhe Ambasadori çmuan bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet agjencive ligjzbatuese të të dyja vendeve, i cili ka rezultuar me konstatimin dhe goditjen e një sërë rastesh të trafikimit të vajzave dhe grave, nga Brazili, me qëllim ushtrimin e prostitucionit në Shqipëri.

Më tej, u dakordësua që ky bashkëpunim të mos kufizohej vetëm në aspekte të punës policore, por të shtrihej edhe te ofrimi i trajnimeve për punonjësit e sektorëve që merren me hetimin e krimeve, shkëmbimi i metodave dhe eksperiencave më të mira policore, si dhe te asistenca teknologjike./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›