E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtuesi i ri i “FBI-së shqiptare”, deputeti i PD, Arian Ndoja: Joni Keta një hap para, ja pse do të ketë sukses

Emërimi i Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e njohur ndryshe si “FBI-ja shqiptare”, ka qenë tema qendrore e diskutimit në emisionin “Trialog” në RTSH.

Nën moderimin e Alba Alishanit dhe me analistët Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli e Arion Sulo në panel, diskutimi u fokusua te profili i drejtuesit të ri dhe pritshmëritë për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Komente nga i ftuari special në panel kishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Arian Ndoj. Si ish-prokuror me eksperiencë në sistemin e drejtësisë, opinioni i tij mbi kreun e ri të BKH-së mori vëmendje të veçantë.

Ndoj deklaroi se, “ndonëse nuk kam pasur njohje personale apo bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ketën, ai ka krijuar një përshtypje pozitive bazuar në referencat e kolegëve”.

“Besoj janë respektuar kriteret përderisa është votuar. Kam dëgjuar fjalë të mira për Joni Ketën, por unë personalisht nuk kam punuar me të,” u shpreh deputeti demokrat.

Ndryshe nga paraardhësja e tij (Aida Hajnaj), Ndoj parashikon një performancë më dinamike nga Keta. Sipas tij, fakti që Keta vjen nga brenda strukturës së BKH-së, i jep atij një avantazh dhe njohje më të mirë të terrenit.

“Nga të dhënat besoj se do të jetë një hap më përpara se paraardhësja. Ai ka punuar edhe vetë tek BKH dhe ka disa arsye që do të ecë më parë me punën e tij,” theksoi Ndoj gjatë emisionit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›