E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Drita dhe Prishtina përballen për kreun e Superligës - statistikat në favor të gjilanasve, historia i përket kryeqytetasve

Kampioni, Drita, dhe klubi më i trofeshëm në futbollin kosovar, Prishtina, përballen sot (e mërkurë) në Gjilan në ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë, ku tri pikët kanë peshë të madhe në garën për kreun e Albi Mall Superligës.

Albi Mall Superliga sjell sot një nga përballjet më interesante të kampionatit, pasi Drita dhe Prishtina takohen në ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë, e cila zhvillohet nga ora 13:00 në stadiumin ndihmës me bari artificial në Gjilan.


Përballë do të jenë dy prej skuadrave më të mëdha të futbollit kosovar, që ndonëse nuk kanë një rivalitet historik, vitet e fundit kanë zhvilluar përballje të forta dhe me shumë rëndësi në garën për trofe.

Për Dritën, kjo është një mundësi për të vazhduar serinë pozitive dhe për t'u barazuar me Prishtinën në pozitën e dytë, ndërsa kryeqytetasit synojnë fitoren që do t'i rikthente në krye të tabelës.

Drita në formë të shkëlqyer, Prishtina kërkon kreun

Skuadra e Ardian Nuhiut vjen në këtë përballje pas katër fitoreve radhazi në kampionat, ndërsa njëra prej tyre është pikërisht ndaj Prishtinës, të cilën e mposhti me rezultat bindës 0-3 në kryeqytet.

Në anën tjetër, Prishtina ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje në pesë ndeshjet e fundit, duke kërkuar një rezultat pozitiv në një nga udhëtimet më të vështira të kampionatit, pasi nisi sezonin me 7 fitore radhazi.

Rëndësia e tri pikëve është e jashtëzakonshme për të dyja skuadrat. Një fitore e Dritës do ta barazonte atë me Prishtinën në kuotën e 26 pikëve, ndërsa triumfi i bardhekaltërve do t'i çonte ata në 29 pikë, dy më shumë se liderja aktuale, Malisheva, që ka 27 pikë.

Drita dominon përballjet e fundit, Prishtina mban rekordin e trofeve

Edhe statistikat e dhjetë përballjeve të fundit flasin në favor të gjilanasve, të cilët kanë regjistruar pesë fitore, kundrejt dy triumfeve të Prishtinës, ndërsa tri ndeshje të tjera janë mbyllur baras.

Megjithatë, historia e trofeve tregon një tjetër dimension të kësaj përballjeje. Prishtina mbetet klubi më i trofeshëm në futbollin e Kosovës, me 11 tituj kampioni, nëntë Kupa dhe 11 Superkupa të fituara pas pavarësimit të futbollit kosovar nga ish-Jugosllavia në fillim të viteve të 90-ta.

Drita, ndërkohë, ka ndërtuar një histori të rëndësishme në futbollin e pasluftës, me pesë tituj kampioni, një Kupë dhe dy Superkupa të Kosovës.

Gjilanasit kanë fituar titullin e kampionit dy herë radhazi së fundmi, ndërsa Prishtina për herë të fundit ishte shpallur kampione në edicionin 2020/21.

Nuhiu, Limaj dhe Kryeziu paralajmërojnë një përballje të fortë

Në prag të ndeshjes, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka kërkuar nga skuadra e tij një paraqitje edhe më të mirë se në takimin e kaluar, duke shprehur besimin se seria e fitoreve mund të vazhdojë.

“Pres nga skuadra ime një performancë edhe më të lartë se në ndeshjen e kaluar dhe shpresoj që të vazhdojmë me fitore, sepse lojtarët e kanë për obligim të kenë paraqitje edhe më të mira në këtë takim”, ka deklaruar Nuhiu.

Edhe mesfushori Vesel Limaj ka theksuar rëndësinë e kësaj përballjeje, duke shprehur optimizmin për arritjen e objektivit.

“Na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, jemi përgatitur mirë dhe shpresoj të arrijmë objektivin”, ka thënë Limaj.

Në kampin tjetër, kapiteni i Prishtinës, Leotrim Kryeziu, e ka cilësuar këtë sfidë si një derbi të vërtetë, duke paralajmëruar se skuadra e tij do të japë maksimumin për të marrë rezultat pozitiv.

“Sigurisht që na pret një ndeshje e fortë dhe një derbi i vërtetë. Kemi punuar mjaft mirë gjatë kësaj kohe që kemi pasur në dispozicion dhe shpresoj ta japim maksimumin për këtë ndeshje”, ka deklaruar Kryeziu.

Gjithçka është gati për një përballje me peshë të madhe në garën për titull, ku Drita kërkon të vazhdojë dominimin e javëve të fundit, ndërsa Prishtina synon ta shfrytëzojë këtë mundësi për t'u rikthyer në fronin e Superligës. /Telegrafi/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›