“Duam ujë”, qytetarët në Vlorë mësyjnë bashkinë me bidonë: Prefekti i qarkut të mbledhë shtabin e emergjencave

Qytetarët e Vlorës kanë mësyrë dyert e bashkisë për të kërkuar zgjidhje urgjente të furnizimit me ujë të pijshëm. Prej ditësh pa ujë, ata kanë protestuar sërish sot duke kërkuar marrjen e masave nga institucionet për rikthimin e ujit të pijshëm. Me bidonë në duar ata i kanë rënë dyerve të bashkisë në shenjë proteste për mungesën e ujit të pijshëm prej ditësh.
“Do na zërë kolera. Institucionet të mblidhen të gjitha të marrin masa. Prefekti të mbledhë shtabin e emergjencave të gjendet zgjidhje”, thanë banorët, teksa nuk i kanë kursyer akuzat dhe sulmet ndaj institucioneve.
Gjatë protestës gjithashtu nuk kanë munguar dhe tensionet, ku qytetarët kanë qëlluar me vezë drejt bashkisë, ndërsa kanë tentuar dhe të shtyjnë efektivët e policisë që janë vendosur rreth godinës së bashkisë.
Edhe pse autoritetet kanë deklaruar se po punohet për riparimin e defektit, deri më tani problemi nuk është zgjidhur. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë nuk ka dhënë një afat përfundimtar për rregullimin e situatës.
Protestuesit janë zhvendosur në kryqëzimin pranë sheshit të Flamurit për të vijuar protestën që kanë deklaruar se do të vijojë deri në zgjidhjen e problemit.
/rtsh.al/