E Martë, 3 Nëntor 2026

Duka kujton Fadil Vokrrin: Legjendë, i hapi rrugë ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Sot bëhen shtatë vjet që kur legjenda shqiptare e futbollit Fadil Vokrri u nda nga jeta.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka kujtuar sot Fadil Vokrrin, duke theksuar se ishte njeriu që hapi rrugën e ndërkombëtarizimit dhe zhvillimit të futbollit kosovar.

“Shtatë vite pa legjendën Fadil Vokrri. Një mik i rrallë, një simbol i futbollit në Kosovë, një figurë historike që i mungon çdo ditë botës së futbollit, shoqërisë dhe zemrave të të gjithë atyre që e donin”, shkroi Duka në një postim në rrjetet sociale.

“Njeriu që hapi rrugën e ndërkombëtarizimit dhe zhvillimit të futbollit kosovar nuk harrohet kurrë! Ai ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptarë dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA”, theksoi Duka.

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merrej si 15-vjeçar, ndërsa si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë.

Më pas në vitin 1980 kaloi te KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola.

Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi gjashtë gola.

Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi trembëdhjetë 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.

Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992.

Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.

Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Më 15 janar 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si kryetar i FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhimit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate.

Mëngjesin e 9 qershorit të vitit 2018, ndërsa po ushtronte në palestër Vokrri pësoi një sulm në zemër dhe ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare.

1 nga 2

/a.f/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›