PL: Plan të menjëhershëm emergjence për të ndalur emigracionin

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Partia e Lirisë kërkoi sot një plan të menjëhershëm emergjence për të ndalur emigracionin.
Zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli deklaroi sot se, vendi ndodhet përballë një realiteti dramatik.
“Shqipëria po boshatiset, ekonomia po rrënohet, dhe qeveria po bën sehir! Në vend të zhvillimit, kemi ikje masive. Në vend të politikave për mirëqenie, kemi propaganda dhe në vend të një shteti që mbron qytetarët, kemi një klikë që i plaçkit”, tha ajo.
Sot, shtoi Memelli, “të rinjtë nuk ikin vetëm për pagë më të lartë, ikin sepse nuk shohin as të ardhme, as drejtësi, dhe as dinjitet në këtë vend. Shkollat mbyllen, jo vetëm nga mungesa e mësuesve, por edhe e fëmijëve”.
“Spitalet boshatisen nga mjekët, sepse qeveria i përdor vetëm për foto dhe fushatë. Fshatrat janë shndërruar në gërmadha. Bujqësia është në agoni. Tregu i punës është pa punëtorë. Shpresa është në emigrim”, shtoi Memelli.
Sipas saj përgjegjësia për këtë është e qeverisë.
“Përgjegjësia është e çdo zyrtari që ka heshtur. Përgjegjësia është e çdo institucioni që është kthyer në vegël të partisë”, shtoi ajo.
Memelli u shpreh se “PL kërkon një plan të menjëhershëm emergjence për të ndalur emigracionin. Investime të drejtpërdrejta në bujqësi, arsim dhe punësim të rinisë. Dorëheqje nga çdo drejtues që ka heshtur përpara kësaj tragjedie kombëtare”.
/a.f/