E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dumani: 65.5 milionë euro pasuri u sekuestruan gjatë vitit 2024, u hetuan 33 ish-zyrtarë të lartë

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani prezantoi sot në Komisionin e Ligjeve, veprimtarinë gjatë vitit 2024 të institucionit që ai drejton.

Dumani tha se SPAK ka përgatitur një raport vjetor për vitin 2024, raport i cili i është dërguar Kuvendit në muajin mars të këtij viti.

“Gjatë vitit 2024, SPAK ka pasur në vëmendje ndjekjen e rekomandimeve të BE-së, të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë si edhe të rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Janë marrë në konsideratë jo vetëm indikatorë sasiorë, por sidomos ata cilësorë. Progresraporti i Komisionit Evropian i vitit 2024 ka vlerësuar arritjet e SPAK në hetimin e rasteve të korrupsionit në nivel të lartë dhe mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. Ky raport thekson nivelin e mirë të bashkëpunimit mes SPAK dhe organizmave ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar”, tha Dumani.

Kreu i SPAK nënvizoi se “në indeksin global të korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria ka përmirësuar rezultatin me pesë pikë, ndërsa Transparency International ka vlerësuar rolin e SPAK në publik”.

“Numri i prokurorëve gjatë vitit 2024 u rrit nga 17 në 20, u shtua ekspertiza e BKH-së, si edhe u rritën trajnimet ndërkombëtare. Kjo u reflektua me rritje 8% të çështjeve në hetim dhe me 21% të numrit të personave të hetuar krahasuar më vitin 2023. Numri i procedimeve të reja shënoi një ulje me 15%. U intensifikuara sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale duke arritur në 65.5 milionë euro, me një rritje prej 60% krahasuar me vitin 2023, si pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe transaksione në kriptovaluta”, theksoi Dumani.

Dumani shtoi se janë krijuar 10 skuadra të reja hetimore të përbashkëta me Interpol, Europol, Eurojust, ndërsa vazhdon puna me 27 të tjerat ekzistuese.

Sipas Dumanit, zbatimi i hetimeve financiare u forcua me miratimin e  udhëzimit të përgjithshëm në nëntor 2024, i cili unifikon standardet e punës për prokurorët, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe sektorin e hetimit financiar.

“Vetëm 9.7% e të paraburgosurve në Shqipëri janë persona nën hetim nga SPAK, duke shmangur abuzimin me masat e sigurisë”, tha ai.

“Sa i takon hetimit të krimeve zgjedhore, në janar të vitit 2025 SPAK miratoi strategjinë e hetimit të krimit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 duke garantuar hetim proaktiv. Gjatë vitit 2024 janë trajtuar 128 kërkesa për informacion nga publiku dhe janë intensifikuar çështjet me ndjeshmëri të lartë”, pohoi Dumani.

Kreu i SPAK tha se në fund të vitit 2024 ishin 114 punonjës, ndërsa BKH ishte në proces rekrutimi për 102 vende vakante, ndërsa procesi për zgjedhjen e drejtorit të BKH-së është në fazë përmbyllëse.

“Është rritur ndjeshëm cilësia e hetimit për korrupsion, në 33 ish-zyrtarë të lartë të proceduar, dhe 19 çështje të dërguara në gjykatë, me një rritje me 8% të çështjeve nën hetim. Janë 65 hetime proaktive me 10 skuadra të përbashkëta hetimore të reja me partnerë ndërkombëtare. Numri i çështjeve nën hetim për veprën penale të trafikimit të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal është rritur në masën 3.3%”, tha Dumani. /e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›