STAMBOLL – Erdogan: Duhen vite për të rindërtuar Gazën, Turqia ka rol të rëndësishëm

STAMBOLL, 14 tetor /ATSH/- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan nënvizoi sot rëndësinë e rindërtimit të Gazës, duke u zotuar se Turqia do të merrte të gjitha masat e nevojshme për të adresuar nevojat humanitare të palestinezëve përpara dimrit – pas samitit për paqen në Gazë në Egjipt – të organizuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, sipas Anadolu.
“Rindërtimi i Gazës me siguri do të zgjasë me vite dhe Turqia ka një rol të rëndësishëm”, tha Erdogan.
Trump dhe al-Sisi pritën dje më shumë se 20 udhëheqës botërorë në samit, përfshirë presidentin Recep Tayyip Erdogan, në qytetin turistik egjiptian Sharm el-Sheikh – ku u nënshkrua marrëveshja e armëpushimit në Gaza.
Duke folur me gazetarët gjatë largimit nga Egjipti, Erdogan e përshkroi diplomacinë me Trump si jashtëzakonisht të rëndësishme dhe u zotua ta vazhdojë atë me të njëjtën ndjeshmëri.
“Nënshkrimet e Samitit të Paqes në Sharm el-Sheikh, nuk janë vetëm simbolike – por ato shënojnë angazhimin tonë për paqen si pjesë të historisë. Turqia është shumë entuziaste për vendosjen e një rendi paqeje në Gaza”, tha Erdogan.
Lidhur me rindërtimin e enklavës, Turqia po kërkon mbështetje nga të gjitha vendet e Gjirit, SHBA-ja dhe Evropa”, tha presidenti turk, ndërsa theksoi se përpjekjet e vazhdueshme synonin të siguronin që gjenocidi në Gaza “të mos harrohej”. //a.i/