LONDËR – Starmer: Njohja e shtetit palestinez ndihmoi në arritjen e paqes në Gaza

LONDËR, 14 tetor /ATSH-DPA/ – Njohja e shtetit palestinez ndihmoi në arritjen e paqes në Gaza, ka deklaruar sot para ligjvënësve kryeministri britanik Keir Starmer.
Duke folur pas kthimit nga samiti i paqes në Egjipt, kryeministri tha se Britania e Madhe kishte mundur të punonte “në prapaskenë” për arritjen e armëpushimit “pikërisht falë qasjes që ndjek kjo qeveri”.
“Kjo përfshin edhe vendimin tonë për të njohur shtetin e Palestinës”, shtoi ai.
“Së bashku me aleatët tanë, Francën, Kanadanë, Australinë dhe të tjerë, ky hap ndihmoi në arritjen e deklaratës historike të Nju Jorkut, ku për herë të parë Liga Arabe dënoi mizoritë e 7 tetorit, bëri thirrje që Hamasi të çarmatoset dhe, më e rëndësishmja, kërkoi t’i jepet fund sundimit të tij në Gaza”.
Megjithatë, kryeministri Starmer theksoi se marrëveshja e paqes e nënshkruar dje është “marrëveshja e presidentit amerikan Donald Trump”. “Kjo është marrëveshja e tij.”
Marrëveshja u nënshkrua nga Trump në një ceremoni në Sharm el-Sheikh, bashkë me negociatorë nga Egjipti, Katari dhe Turqia. Izraeli dhe Hamasi nuk ishin të pranishëm në samit.
Hamasi liroi dje të gjithë 20 pengjet izraelite që ishin ende gjallë, ndërsa Izraeli liroi mbi 1 900 të burgosur dhe të ndaluar në fazën e parë të marrëveshjes.
Starmer u tha ligjvënësve se marrëveshja e djeshme solli “një çast lehtësimi të thellë” dhe nderoi pengjet si dhe civilët e vrarë në Gaza.
Por ai theksoi se marrëveshja ofron vetëm “një mundësi për t’i dhënë fund një kapitulli të tmerrshëm në histori”.
Negociatat do të vazhdojnë për fazën e dytë të marrëveshjes, që përfshin dorëzimin e armëve nga Hamasi, një mundësi që raportohet se grupi e ka hedhur poshtë , dhe rindërtimin e Gazës nën drejtimin e një “bordi paqeje” të kryesuar nga Trump dhe që mund të përfshijë edhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
“Ndërsa sot festojmë lehtësimin që sjell paqja, ruajtja e saj do të jetë një detyrë po aq e vështirë. Së bashku me aleatët tanë, fokusi ynë absolut në ditët dhe javët në vijim do të jetë zbatimi i palëkundur i këtij plani paqeje”, tha Starmer “Kjo nuk është një sfidë e vogël, prandaj jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion diplomacinë dhe përvojën tonë në tre fusha kyçe”. /Ad.Ab./