E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dumani raporton në Komisionet e Përbashkëta Parlamentare: 65.5 milionë euro pasuri të krimit të sekuestruara në 2024, janë proceduar 33 ish-zyrtarë të lartë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) shënoi rritje në goditjen e aseteve kriminale në 2024. Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi sot para Komisioneve të Përbashkëta Parlamentare (Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe Administratës Publike dhe Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale), duke deklaruar se, gjatë vitit 2024, SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë totale 65.5 milionë euro. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 60% krahasuar me vitin 2023.

Sipas tij, në thelbin e këtij suksesi qëndron një strategji e fokusuar në goditjen financiare të krimit.

“Nga totali i pasurive, 28.7 milionë euro janë sekuestruar, ndërsa 36.7 milionë euro janë konfiskuar.”, tha Dumani.

Pasuritë e zyrtarëve të lartë dhe pastrimi i parave

Një theks i veçantë në raportin e Dumanit ishte lufta kundër korrupsionit në nivelet më të larta të shtetit. Është shënuar se 45.8% e pasurive të sekuestruara u përkasin pikërisht zyrtarëve të lartë, duke dëshmuar angazhimin e SPAK për të mos toleruar abuzimet me detyrën.

“Në kuadër të luftës kundër krimit financiar, hetimet kundër pastrimit të parave janë rritur me 34% brenda vitit, ndërsa numri i procedimeve është trefishuar. Kjo tregon se institucioni po zhvillon hetimet pasurore dhe ato penale në mënyrë paralele, të lehtësuar edhe nga miratimi i një udhëzimi të ri në Nëntor 2024 pikërisht për këtë qëllim.”, tha kreu i SPAK.

Dumani theksoi gjithashtu se institucioni ka proceduar 33 ish-zyrtarë të lartë. Nga këta, 19 janë dërguar për gjykim, dhe 10 kanë marrë vendim dënimi të formës së prerë.

Forcimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Raporti nxori në pah rritjen e kapaciteteve të brendshme të SPAK.

Sipas Dumanit, numri i prokurorëve u rrit në 20, ndërsa u krijuan edhe 10 skuadra të përbashkëta hetimore me agjencitë ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, duke sjellë rezultate direkte në goditjen e rrjeteve të drogës dhe krimit të organizuar.

“Në përgjithësi, çështjet në hetim shënuan një rritje me 8%.”, tha ai.  

Ndonëse numri i përgjithshëm i procedimeve të regjistruara shënoi një rënie modeste me 15%, Dumani shpjegoi se kjo lidhet me natyrën gjithnjë e më komplekse dhe afatgjatë të çështjeve që merr përsipër SPAK, të cilat kërkojnë burime dhe kohë më të konsiderueshme.

Kreun e SPAK u shpreh se institucioni ka ndjekur me rigorozitet rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe rezolutën e Kuvendit, duke fokusuar punën jo vetëm te treguesit sasiorë, por edhe te cilësia e hetimeve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Sipas tij, me 65.5 milionë euro të sekuestruara, SPAK dëshmon angazhimin e saj për të pastruar ekonominë nga pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme, duke e kthyer goditjen financiare në treguesin kryesor të suksesit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Operacionet ndërkombëtare të SPAK

Përmes një bashkëpunimi të thelluar ndërkombëtar, SPAK arriti të evidentojë 16 grupe kriminale shqiptare me rrezikshmëri të lartë, të cilat veprojnë me një strukturë hierarkike, përdorin komunikime të koduara dhe janë të specializuara në pastrimin e parave.

Këto grupe janë aktive në trafikun e kokainës dhe kanabisit. Blerjen e kokainës e sigurojnë në Amerikën Latine.

Ato shtrijnë veprimtarinë e tyre në vende si Italia, Spanja, Belgjika, Holanda, Gjermania dhe Norvegjia.

Aktivitetet e tjera përfshijnë edhe trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimin kibernetik.

Sipas Dumanit, 10 prej këtyre 16 grupeve kriminale janë goditur dhe aktiviteti i tyre i paligjshëm është provuar në gjykatë.

Brenda Shqipërisë, këto grupe mbajnë aktivitetin në rrethe kyçe si Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan dhe Kukës.

11 milionë euro kriptomonedha të sekuestruara nga SPAK në 2024, Dumani: Duhet urgjentisht portofol digjital kombëtar

Lufta kundër krimit të organizuar po zhvendoset gjithnjë e më shumë edhe në fushën digjitale, duke vendosur SPAK përpara sfidave të reja teknologjike dhe ligjore.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, zbuloi sot para komisioneve parlamentare se gjatë vitit 2024, SPAK ka sekuestruar kriptomonedha me vlerë mbi 11 milionë euro.

Megjithatë, kjo arritje ekspozon një hendek serioz në infrastrukturën shtetërore shqiptare.

“Nuk kemi një portofol për të ruajtur kriptomonedhat e sekuestruara,” theksoi Dumani.

Ai sqaroi se as Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara nuk zotëron kapacitetin e nevojshëm digjital për të ruajtur këto asete.

Për të menaxhuar pasurinë digjitale prej 11 milionë eurosh, SPAK u detyrua të kërkonte ndihmën e jashtme. Drejtuesi i SPAK bëri të ditur se problemi u zgjidh përmes një bashkëpunimi të ngushtë me një vend të BE-së, i cili u vetë-ofrua për të ndihmuar në ruajtjen e kriptovalutave. Dumani e cilësoi këtë si një “sforco shumë të madhe”.

Situata pritet të bëhet më e komplikuar, pasi Altin Dumani bëri të ditur se aktualisht ka një shumë mbi 11 milionë euro kriptomonedha të tjera, të cilat janë në proces ngrirjeje dhe që do të shtojnë barrën në mungesë të një zgjidhjeje kombëtare.

Përballë kësaj situate, kreu i SPAK u bëri thirrje autoriteteve që të marrin nisma ligjore urgjente për të krijuar një portofol digjital zyrtar. Kjo, sipas tij, është thelbësore për të garantuar ruajtjen, sigurinë dhe gjurmueshmërinë e këtyre aseteve digjitale, duke i hequr mundësinë krimit të organizuar për të shfrytëzuar boshllëqet teknologjike dhe ligjore shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›