E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vengu inspekton Qendrën e re të Personel-Rekrutimit: Kushte moderne dhe 4 mijë shërbime online në muaj

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi sot një vizitë inspektuese në godinën e saporikonstruktuar të Qendrës së Personelit dhe Rekrutimit, një strukturë e rëndësishme për mirëpritjen, testimin dhe mbështetjen në karrierë të personelit ushtarak.

Godina, me një sipërfaqe prej 370 metrash katrorë, është transformuar tërësisht përmes një rikonstruksioni të thelluar, i realizuar brenda një afati prej 6 muajsh.

Pas përfundimit të punimeve, u krye edhe mobilimi i ambienteve, duke e kthyer objektin në një hapësirë moderne dhe funksionale për personelin e Forcave të Armatosura.

Gjatë inspektimit të zyrave, ministri Vengu vlerësoi cilësinë e ndërhyrjeve dhe përmirësimet e dukshme në administrimin e dokumentacionit.

“Ndër vite, gjendja e dokumenteve ka qenë problematike. Është pozitiv fakti që tani kemi një kopje të dytë dhe që dokumentet miradministrohen,” u shpreh ai.

Në kuadër të sigurisë, godina është pajisur edhe me shkallë emergjence, ndërsa ambientet e saj shërbejnë jo vetëm për ushtarakët aktivë, por edhe për ata në lirim dhe stafin civil që ka marrëdhënie me Forcat e Armatosura. Po aty kryhen edhe testet fizike për të rinjtë që synojnë të bëhen pjesë e trupës ushtarake.

Ministri vizitoi edhe zyrën e shërbimeve online, ku sipas të dhënave, gjatë një muaji ofrohen deri në 4 mijë shërbime në 7 kategori të ndryshme.

“Praktikisht dhjetëra-mijëra qytetarë marrin shërbim përmes platformës dhe synimi është që ne gjithsesi të shtojmë shërbimet,” tha Vengu.

Qendra e re ka një personel prej 143 punonjësish dhe është e ndarë në disa fasha funksionale. Vengu inspektoi edhe sektorin e rekrutimit, ku u njoh me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për Akademinë e Forcave të Armatosura.

“Këtë vit patëm 1634 aplikime. Pastaj testimi fizik, testimi që kryeni këtu në këto ambiente, e reduktoi numrin në 400. Më pas patëm edhe një seleksionim tjetër, duke treguar praktikisht që jemi në një situatë ku tërheqim shumë e shumë që duan të na bashkohen, qoftë përmes programeve të rekrutimit pas maturës, qoftë përmes programeve pas bachelorit ose për Kursin e Oficerit,” deklaroi ministri.

Në përmbyllje të vizitës, Vengu theksoi rëndësinë e punës që kryhet në këtë qendër duke theksuar se “Është shumë e rëndësishme puna që bëni këtu, tashmë të rehabilituara dhe cilësore. Duke automatizuar një pjesë të proceseve, rrisim sa më shumë perceptimin që çdo kush merr atë që i takon dhe respektohet meritokracia.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›