E Hënë, 2 Nëntor 2026

Durrës- Arrestohen në flagrancë 2 persona, akuzohen për vjedhje në lokale në zonën e plazhit

Dy persona janë arrestuar në Durrës këtë të enjte, pasi u kapën në flagrancë duke vjedhur në disa lokale në zonën e plazhit. Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi një shumë parash dhe sende të tjera të vjedhura.

Sipas Komisariatit të Policisë Durrës, arrestimi i tyre u bë në kuadër të punës për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve, si dhe pas informacioneve të marra në rrugë operative.

Në pranga ranë E. H., 29 vjeç dhe M. I., 25 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 13, Durrës.

Të rinjtë u kapën në lokalin e shtetasit B. M., ku kishin marrë sende të ndryshme, një shumë parash dhe një biçikletë. Po ashtu, në rrugën “Bajram Curri”, ata kishin marrë disa pije alkoolike dhe një biçikletë tjetër.

Hetimet kanë zbuluar se dy të arrestuarit dyshohet të kenë kryer edhe një vjedhje tjetër në një bar-piceri në pronësi të shtetasit A. G., në lagjen 13, ku janë marrë 3 milionë lekë dhe një aparat telefonik.

Policia sekuestroi një pjesë të shumës së parave të vjedhura, një celular dhe biçikletat e gjetura në posedim të tyre.

Materialet i janë kaluar Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›