E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, disa familje të evakuara në Konvaleshencë dhe ish-NISH Tulla

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Prej disa orësh, qyteti i Durrësit është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut.

Kjo ka shkaktuar problematika në qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve në disa zona të qytetit bregdetar.

Prefekti i qarkut Durrës, Emilian Jani u shpreh sot për ATSH se që prej orës 06:00 të mëngjesit, strukturat e Emergjencave Civile, Policia e Shtetit, grupet e punës të bashkisë Durrës janë në terren për të monitoruar situatën.

Jani tha se një familje është evakuar nga zona e Konvaleshencës, pasi shtëpia e tyre u përmbyt. Sipas Janit, familja është sistemuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Plazhin e Durrësit.

“Kemi edhe dy-tri familje të tjera gati për evakuim në zonën e ish-NISH Tullës, pasi edhe aty paraqitet situatë problematike”, tha Jani.

Prefekti i Durrësit shtoi se të gjitha strukturat vendore janë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur në kohë çdo emergjence të ardhur nga qytetarët.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›