E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkushtim dhe profesionalizëm, Vengu promovon rolin e efektivëve të FA

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot një video ku vihet në fokus roli i kapitalit njerëzor në Forcat tona të Armatosura, duke theksuar se zhvillimi dhe aftësimi i çdo efektivi është themeli i forcimit dhe ringritjes së mëtejshme të FA.

Në video prezantohen rrugëtimet profesionale të nëntogerit Ersi Mollaj dhe ushtares IV Erato Buzalli, dy prej efektivëve që përfaqësojnë përkushtimin dhe profesionalizmin e grave dhe burrave në uniformë.

Nga Burreli në Poshnjë dhe nga Vau i Dejës në Bunavi, Forcat e Armatosura janë çdo ditë në shërbim të vendit, duke u angazhuar në përballimin e emergjencave civile, stërvitje intensive dhe misione operacionale brenda dhe jashtë kufijve.

Nëntoger Ersi Mollaj, komandant toge zbulimi në Regjimentin e Këmbësorisë së Veriut, thekson se reparti i tij ka qenë i angazhuar në operacione të shumta brenda vendit, përfshirë kërkim-shpëtimin, shuarjen e zjarreve dhe përballimin e përmbytjeve.

Ai shton se, krahas këtyre detyrave, efektivët shqiptarë kanë kontribuar edhe në misione paqeruajtëse jashtë vendit, në Kosovë, Bullgari dhe së fundmi në Bosnjë.

Ndërkohë, ushtarja IV Erato Buzalli, pjesë e togës së armëve të rënda me detyrë automatike, ndan përvojën e saj pesëvjeçare në Forcat e Armatosura.

Ajo vlerëson mbështetjen e vazhdueshme nga kolegët dhe eprorët, duke e cilësuar frymën e bashkëpunimit si një element kyç në kryerjen me sukses të detyrës.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›