“Pedofilët më qëllonin me pinca gjatë përdhunimeve”
Fatos Mahmutaj
Një i mitur 12-vjeçar, i abuzuar seksualisht në fondacionin “Fëmijët e tij”, akuzoi dje si autorë të abuzimeve seksuale greko-anglezin Dino Christodoulou. Dëshmia e tij u dëgjua në gjykatë nëpërmjet videokonferencës, ku 12-vjeçari u pyet në praninë e një psikologeje të Klinikës Ligjore për të Miturit. Duke shpjeguar me detaje abuzimet çnjerëzore ndaj tij, i mituri pohoi i përlotur se Janaq Papleka, ish-kuzhinieri i qendrës “bamirëse”, i cili tashmë e ka përfunduar dënimin dhe Dino Christodoulou e qëllonin me pinca, thika dhe pirunë, ndërsa greko-anglezi Arnold kryente me të marrëdhënie seksuale. Sipas tij, kjo ka ndodhur kur ai ishte në moshën 9-vjeçare. Kjo dëshmi e fëmijës, që tashmë është 12 vjeç, merret për të dytën herë në Gjykatën e Tiranës, pasi rreth gjashtë muaj më parë ai pohoi të njëjtat fjalë para trupit gjykues, që po shqyrton dosjen tjetër ndaj David Braun, ish-kreut të fondacionit, i cili po gjykohet në një proces paralel. Pas rreth dy orësh pyetje, i mituri pësoi një ngarkesë psikologjike duke u përlotur, çka detyroi gjykatën të shtynte seancën për një datë tjetër. Që në fillim të seancës, psikologja Naureda Hasani, i bëri me dije gjykatës se pyetjet ndaj të miturit duhet të ishin të qarta, të shkurtra dhe pa përsëritje. “Kemi të bëjmë me një të mitur, i cili është abuzuar dhe gjatë seancës mund të ketë ngarkesë psikologjike”, argumentoi psikologja kërkesën e saj para trupit gjykues. I mituri dhe të pandehurit Dino Christodoulou e Robin Arnold, qëndruan në salla të ndryshme gjyqi në katin e dytë të gjykatës, ndërsa lidhja mes tyre u bë nëpërmjet videokonferencës. Por edhe pse nuk kishte kontakt vizual me të pandehurit, përballë pyetjeve të tyre, i mituri pësoi ngarkesë psikologjike dhe nisi të qante duke detyruar psikologen të kërkonte përfundimin e pyetjeve, çka më pas solli edhe përfundimin e seancës gjyqësore. Trupi gjykues vendosi që seanca e ardhshme të zhvillohet pas dy javësh, ku do të vazhdohet me pyetjen e të miturit si dhe një tjetër fëmijë të abuzuar. Pikërisht në bazë të këtyre dëshmive, David Braun, ish-kreu i fondacionit, i cili po gjykohet nën të njëjtën akuzë në një proces paralel, ka akuzuar dy ish-miqtë e tij për abuzimin e të miturve. Që nga momenti i arrestimit, në maj 2006, Braun ka mohuar të ketë abuzuar me fëmijët e jetimores që drejtonte, ndërsa pretendon se në momentin që ka mësuar se këtë gjë e bënin dy miqtë e tij anglezë, i ka përzënë ata nga Shqipëria dhe ka dërguar të miturit për ekspertizë në një klinikë private që drejtohej nga një mjek amerikan.