E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy atentatorë në vrasjen e biznesmenit, gjendet e djegur makina e autorëve, policia shoqëron disa persona

Një ditë pas vrasjes mafioze të biznesmenit nga Elbasani Mondi Mëhalla, policia ka shoqëruar disa persona në polici të cilët mund të japin më shumë detaje se si ndodhi krimi i rëndë.

Mes tyre janë pëunonjësit e karburantit të cilët ishin në turn në momentin e ngjarjes, si dhe dy shoferë taksish.

Po ashtu mëngjesin e kësaj të hënë policia ka gjetur një automjet të djegur  tip “Audi”, në fshatin Mirakë, bashkë me një pistoletë, që dyshohet se iu përket atentatorëve.

Për këta të fundit policia dyshon se kanë qenë dy persona, të dy vrasës me pagesë.

43-vjeçari u qëllua sapo kishte dalë nga zyra në karburantin “Xhaxhi Oil” në pronësi të tij dhe sapo ishte futur në automjetin e tij “Range Rover”.

Autorët e kanë qëlluar disa herë me pistoletë, ndërsa dy prej plumbave e prekën në kokë.

Mondi Mëhalla ose Edmond Hyka, përveçse  pronar i karburantit “Xhaxhi Oil” në dalje të Elbasanit, ka në pronësi edhe një shërbimi taksi “El Taxi” si dhe një lokal.

Mëhalla ishte në gjyq për armëmbajtje pa leje, posedim sendesh të jashtligjshme dhe shpërndarje narkotikësh.

43-vjeçari jetonte në zonën Komuna e Parisit në Tiranë, por lëvizste shpesh herë në Elbasan për shkak të aktivitetit ekonomik atje.

Policia ndërkohë ka marrë edhe të gjitha pamjet e kamerave të sisgurisë së karburantit, bizneseve në zonë dhe ato përgjatë aksit Elbasan-Librazhd për të rënë në gjurmë të autorëve sa më parë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›