Dy punonjës policie gjejnë dhe kthejnë çantën me para dhe dokumente

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Dy punonjës të Policisë së Shtetit janë vlerësuar për veprimin e tyre me integritet, pasi gjetën dhe kthyen një çantë me 1000 euro, dokumente dhe celular të një qytetari, jashtë orarit të shërbimit.
Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 22:30 në rrugën e Rinasit, teksa punonjësit Klejdin Lleshaj nga Qarkullimi Rrugor Lezhë dhe Durim Xhakaj nga Qarkullimi Rrugor Shkodër po ktheheshin nga Tirana për në qytetet e tyre së bashku me familjarët. Ata gjetën një çantë në rrugë që i përkiste një personi që kishte ardhur nga Italia.
Përmes pasaportës dhe rrjeteve sociale, punonjësit identifikuan pronarin dhe i kthyen çantën, që përmbante 1000 euro, dokumente dhe një celular, një 34-vjeçari nga Kavaja.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, u ka dërguar punonjësve një mesazh falënderimi, duke theksuar se veprimi i tyre nderon uniformën dhe mishëron vlerat e integritetit, humanizmit dhe përgjegjësisë që qëndrojnë në themel të misionit të Policisë së Shtetit.
Në mesazhin e tij, Proda shprehet se veprimi i punonjësve, pavarësisht se ishin jashtë shërbimit, tregon qytetarinë dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj detyrës, duke rritur besimin e qytetarëve dhe duke dëshmuar se shumica e punonjësve të Policisë veprojnë me ndershmëri dhe profesionalizëm.
/r.e/