Dy të mitur u futën për t’u larë në Patok, mbytet njëri prej tyre, forcat RENEA gjejnë trupin

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Një 15-vjeçar është mbytur sot në kanalin që lidh Lagunën e Patokut me detin Adriatik teksa ishte duke u larë bashkë me një bashkëmoshatarin e tij.
Policia njoftoi sot se “rreth orës 15:00, në lagunën e Patokut, dy 15-vjeçarë kanë hyrë për t’u larë në det, duke kaluar përmes kanalit që lidh lagunën me detin”.
Sipas Policisë, “ndërsa ishin duke u larë, njëri prej tyre është nxjerrë nga uji dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa 15-vjeçari tjetër dyshohet se është mbytur dhe trupi i tij nuk është gjetur ende”.
Por pas kontrolleve, Policia e Kurbinit njoftoi në një informacion shtesë sot në orët e pasdites se “palombarët e Njësisë Speciale RENEA kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen nga uji të trupit të pajetë të 15-vjeçarit”.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/m.q//r.e/