E Hënë, 2 Nëntor 2026

ARABI SAUDITE – Marrëveshje me vlerë 6 miliardë dollarë për Sirinë

DAMASK, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Arabia Saudite nënshkroi sot një marrëveshje ekonomike me vlerë mbi 6 miliardë dollarë me Sirinë e shkatërruar nga lufta, duke dhënë një tjetër sinjal mbështetjeje nga monarkia e pasur me naftë për udhëheqësit e rinj të vendit.

Marrëveshjet u nënshkruan gjatë një forumi të madh biznesi saudit-sirian, i hapur sot  në Damask.

Arabia Saudite ka dhënë mbështetje politike dhe ekonomike për Sirinë që nga rrëzimi i udhëheqësit afatgjatë Bashar al-Asad në muajin  dhjetor.

Në maj, udhëheqësi de facto i Arabisë Saudite, princi i kurorës Mohammed bin Salman, organizoi  në Riad një takim mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit aktual sirian Ahmed al-Sharaa, duke shënuar takimin e parë në 25 vjet mes liderëve të dy vendeve.

Gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite, Trump shpalli heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Sirisë. Edhe Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një hap të ngjashëm.

Sipas ministrit saudit të Investimeve, Khalid Al-Falih, marrëveshjet e nënshkruara  sot mbulojnë sektorë si energjia, infrastruktura, industria, shërbimet financiare, teknologjia e informacionit dhe bujqësia.

“Do të punojmë për të inkurajuar investitorët ndërkombëtarë që të eksplorojnë mundësitë në Siri”, tha Al-Falih.

Që prej rrëzimit të al-Asadit, udhëheqja e re e Sirisë ka kërkuar njohje ndërkombëtare dhe mbështetje ekonomike për rindërtimin e vendit, i cili është shkatërruar nga më shumë se një dekadë luftë.  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›