Dy të vrarë në Gjilan, dyshohet edhe për dy të plagosur – sulmuesi në arrati

PRISHTINË, 10 gusht /ATSH/ Dy persona kanë humbur jetën dhe dyshohet se dy persona të tjerë janë plagosur si pasojë e një incidenti ku janë përdorur armë zjarri sot në Gjilan.
Zëdhënësi i policisë rajonale për Gjilan, Ismet Hashani ka konfirmuar për KosavaPress, se rasti i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”.
“Në këtë rast mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e dy personave. Dyshohet se edhe dy persona të tjerë janë plagosur dhe u është ofruar ndihmë në qendrën emergjente në Gjilan”, ka thënë Hashani.
I dyshuari për rastin është një shtetas i Kosovës, i njohur për policinë, i cili për momentin është në arrati.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse dhe prokurori i shtetit. Policia e Kosovës Njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë.
/KosovaPress/