Ngjarja e rëndë në Gjilan, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e autorit të krimit

PRISHTINË, 10 gusht /ATSH/ Mefail Shkodra (53), Edonis Shkodra (25) dhe Engjull Shkodra (22) janë tre personat e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës për shkak të vrasjes së trefishtë sot në Gjilan dhe plagosjes së një personi tjetër.
Fillimisht Policia e Kosovës ka vënë në kërkim Mefail Shkodrën, pas incidentit të rëndë sot në Gjilan ku kanë mbetur të vdekur tre persona dhe një tjetër i plagosur. Më pas Policia ka shpallur në kërkim edhe dy djemtë e tij, Edonis Shkodra (25) dhe Engjull Shkodra (22).
Mefail Shkodra, me vendbanim në Gjilan, sipas policisë kërkohet për vepër penale “Vrasje e rëndë”.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të të dyshuarit, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët dhe mediet.
Policia kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit në foto, të lajmërojë në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit Lajmëro Policinë, e-mail: info@kosovopolice.com, si dhe në numrat kujdestarë 192; 038 508 07001. Të dhënat do të ruhen në konfidencialitet të plotë.
Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një incidenti ku janë përdorur armë zjarri sot rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”.
I dyshuari për rastin është një shtetas i Kosovës, i njohur për policinë, i cili për momentin është në arrati.
Policia e Kosovës Njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë.
/KosovaPress/