E Premte, 6 Nëntor 2026

Dyshohet se përfitoi 2.1 miliardë lira nga transaksionet e dyshimta në bursë, ish-ministrja e Erdoganit përfundon në burg

Ish-ministrja turke e Familjes dhe Politikave Sociale, Fatma Betül Sayan Kaya, është lënë në paraburgim në kuadër të një hetimi të gjerë për dyshime mbi manipulimin e tregut të investimeve dhe transaksione financiare me vlerë miliarda lirash. Kaya, e cila ka mbajtur edhe postin e nënkryetares së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të presidentit Rexhep Tajip Erdogan, përballet me akuza për shkelje të legjislacionit të tregut të kapitalit dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Vendimi për paraburgimin e saj u mor në orët e para të së premtes, më 6 nëntor, pas marrjes në pyetje nga Prokuroria e Stambollit.

Në të njëjtën çështje u hetuan edhe bashkëshorti i saj, Ilyas Kaya, si dhe ish-kryetari i Këshillit të Tregjeve të Kapitalit (SPK), İbrahim Ömer Gönül. Të dy u liruan me masa kufizuese, përfshirë detyrimin për t’u paraqitur rregullisht pranë autoriteteve dhe ndalimin e largimit nga vendi.

Dyshime për transaksione me aksione dhe informacion të privilegjuar
Në qendër të hetimit janë transaksionet e çiftit Kaya me aksionet e kompanisë së transportit detar Özata Denizcilik (OZATD), si dhe lidhjet e tyre me drejtuesit e grupit të investimeve Tera. Sipas kërkesës së prokurorisë për paraburgim, Kaya dyshohet se kishte blerë aksione të kompanisë në prill 2026 dhe i kishte transferuar ato më 16 shtator, një ditë përpara se autoritetet turke të urdhëronin likuidimin e 131 fondeve të investimit. Prokuroria po shqyrton veçanërisht mënyrën e kryerjes së transaksionit. Sipas hetuesve, aksionet nuk u shitën përmes procedurës së zakonshme të bursës, por iu transferuan drejtpërdrejt kompanisë Tera Yatırım Menkul Değerler AŞ, ndërsa pagesa u kreditua në llogarinë e ish-ministres po atë ditë.

Transaksioni dyshohet se u krye përmes procedurës T+0, që mundëson shlyerjen e menjëhershme, në ndryshim nga afati i zakonshëm T+2, kur pagesa nga shitja e aksioneve mbërrin pas dy ditësh pune. Hetimi ka përfshirë edhe kontaktet e Kayas me drejtuesit e grupit Tera, mes tyre kryetarin Emre Tezmen, i cili është arrestuar gjithashtu. Një raport i Këshillit të Tregjeve të Kapitalit thuhet se ka evidentuar dyshime se ish-ministrja mund të ketë pasur akses në informacione të pazbuluara për publikun, të cilat mund të kenë ndikuar në vendimet e saj për investime. Sipas të dhënave të publikuara nga Türkiye Today, investimi fillestar i çiftit Kaya arriti në rreth 163.1 milionë lira turke, ndërsa shumat që dyshohet se përfituan nga investimet arritën në afërsisht 2.1 miliardë lira. Pasuritë dhe llogaritë bankare të çiftit ishin ngrirë që prej 29 shtatorit. Më vonë, dy investitorët dyshohet se nisën një proces për kthimin vullnetar të fitimeve që tejkalonin kapitalin fillestar. Shumat përkatëse u transferuan në një llogari nën mbikëqyrjen e Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kursimeve (TMSF), pas miratimit të prokurorisë. Kaya dhe bashkëshorti i saj i kanë mohuar akuzat se kanë pasur në dispozicion informacione të privilegjuara që mund t’u kenë dhënë avantazh në transaksionet e tyre.

Hetimi prek mbi 455 mijë investitorë

Çështja është pjesë e një hetimi më të gjerë për parregullsitë në tregun turk të kapitalit. Hetimet nisën në mesin e shtatorit, pasi disa fonde investimi nuk arritën t’u përgjigjeshin kërkesave të klientëve për tërheqjen e parave. Më 17 shtator, Bordi i Tregjeve të Kapitalit urdhëroi likuidimin e 131 fondeve të investimit, në përpjekje për të kufizuar pasojat e krizës. Sipas Türkiye Today, vendimi preku më shumë se 455 mijë investitorë, ndërsa vlera e aseteve të këtyre fondeve llogaritej në rreth 936.3 miliardë lira turke. Hetimi është zgjeruar edhe te drejtues të institucioneve financiare dhe mbikëqyrëse. Sipas shifrave të bëra publike nga ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek, në hetimin e përgjithshëm ishin përfshirë 433 të dyshuar. Prej tyre, 112 ishin lënë në paraburgim, 186 ishin vendosur nën kontroll gjyqësor dhe 38 ishin në kërkim. Ndërkohë, autoritetet kishin ngrirë pasuritë e 359 individëve dhe 111 personave juridikë.

Çështja ka marrë edhe dimension politik, për shkak të pozicioneve që Kaya ka mbajtur në partinë e presidentit Erdogan. Në fund të shtatorit, pasi u bënë publike dyshimet për transaksionet e saj financiare, ajo dha dorëheqjen nga posti i nënkryetares së AKP-së dhe u tërhoq edhe nga funksionet e tjera partiake. Kryetari i Partisë Republikane Popullore (CHP), Özgür Özel, kishte ngritur më herët çështjen e trajtimit të barabartë para ligjit, duke krahasuar mënyrën se si po trajtohej kjo çështje me atë të figurave të tjera të opozitës. Presidenti Erdogan deklaroi se të gjithë personat e përfshirë në manipulimin e tregut të kapitalit do të mbahen përgjegjës, ndërsa theksoi se drejtësia po heton rastin dhe po identifikon personat përgjegjës. Hetimet vijojnë për të zbardhur transaksionet financiare, marrëdhëniet mes grupeve të investimeve dhe zyrtarëve mbikëqyrës, si dhe dyshimet për përdorimin e informacionit të privilegjuar.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›