E Diel, 1 Nëntor 2026

E diela rikthen kukullat në ekranin e TVSH-së

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Këtë fundjavë, në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar do të “rikthehen” kukullat.

Në fakt, do të jetë rikthimi i një rituali aq të dashur nga publiku, që dikur mblidhte fëmijët e prindërit para ekranit të televizorit për të ndjekur një shfaqje nga repertori i Teatrit të Kukullave.

Shfaqja e përzgjedhur për këtë të diel në orën 09:30 do të jetë “Borëbardha dhe 7 xhuxhët”, një shfaqje unike, që vjen për herë të parë e interpretuar nga një aktore e vetme. Jorida Meta do të interpretojë çdo personazh duke sjellë në skenë magji, humor dhe mesazhe të bukura për telespektatorët e vegjël.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë (QKKF), Melsi Qirici, tha për ATSH-në se rikthimi i botës magjike të kukullave në ekranin e RTSH1, bëhet i mundur në sajë të një marrëveshjeje me RTSH-në.

“Kemi një marrëveshje me RTSH-në. Ideja ime ishte rikthimi i shfaqjeve me kukulla në ekran, pas shumë vitesh mungese. Në këtë mënyrë u japim mundësi fëmijëve në çdo cep të Shqipërisë dhe Diasporë, të shohin shfaqjet tona”, u shpreh Qirici.

“Borëbardha dhe 7 xhuxhët”, me regjinë e Aldion Matarangasit, do të vijë për të gjithë vogëlushët që duan të udhëtojnë në botën e përrallave dhe të fantazisë.

Drejtoresha e QKKF tha se, së shpejti do vijë në ekran edhe “Zemërimi i shkronjave”, një shfaqje e cila do të shoqërohet me audiopërshkrim për personat që nuk shikojnë. Kjo do të jetë hera e parë që bëhet diçka e tillë në Televizionin Publik Shqiptar.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›