EMRI/ Arrestohet në Belgjikë shtetasi shqiptar i kërkuar ndërkombëtarisht për trafik droge

Policia e Shtetit, përmes strukturës së saj të specializuar FAST Albania, në bashkëpunim me rrjetin europian të njësive të kërkimit ENFAST, si dhe me homologët e saj në Holandë dhe Belgjikë, ka finalizuar me sukses një tjetër operacion ndërkombëtar.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi në Belgjikë i shtetasit shqiptar Shkëlqim Vokri, 56 vjeç, banues në Dërmenas, Fier, i cili posedonte dokumente me shtetësi holandeze.
Vokri ishte shpallur në kërkim nga autoritetet holandeze, në bazë të një Urdhri Evropian dhe Ndërkombëtar Arresti (EAW/IAW). Ai duhet të vuajë 686 ditë burgim të mbetura, pasi është dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, konkretisht për përfshirje në transportimin e 250 kilogramëve kokainë në territorin e Holandës – vepër e parashikuar nga Kodi Penal i këtij shteti.
Operacioni u mundësua falë shkëmbimit në kohë reale të informacioneve mes FAST Albania-s dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë, në kuadër të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Policia e Shtetit riafirmon angazhimin e saj maksimal për të vijuar bashkëpunimin ndërkombëtar me qëllim lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për t’i vendosur ata përpara drejtësisë.
/vizionplus.tv